(E plotësuar 12:57) - Dëshmitari i tretë në Hagë: Në Zllashë më dërguan të komandant Cali, aty më keqtrajtuan
Dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Salih Mustafës në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka thënë se në kohën kur i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), është marrë nga disa persona dhe është dërguar në një objekt në fshatin Zllashë, që sipas tij, aty është keqtrajtuar nga një person që ai e quan komandant Cali. Dëshmitari i cili po dëshmon duke ju fshehur identiteti, sot ka thënë se fillimisht nuk e ka ditur kush është personi e pastaj ka dëgjuar të tjerët duke ju drejtuar “komandant Cali”, por i njëjti në një dëshmi dhënë prokuronit të ZPS-së më 2019 kishte thënë se personi i ishte prezantuar vet si komandant Cali.
Dëshmitari i tretë i ZPS-së në rastin ku ish-pjesëtari i UÇK-së Salih Mustafa po gjykohet për krime lufte, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësues së ZPS-së ka thënë se bashkë me disa persona të tjera kanë shkuar në fshatin Zllashë për të gjetur shtabin e UÇK-së dhe sipas tij, për t’u bërë pjesë e saj.
Dëshmitari: Në Mramor shkuam të një shkollë, aty kish pasur njerëz, aty qëndruam një natë, i pyetëm njerëzit e tjerë se ku është UÇK-ja se po duam me u kyç në luftë dhe të nesërmen na treguam dhe vazhduam për një fshat Zllashë.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Çfarë bëre pastaj, pasi shkuat në Zllashë?
Dëshmitari: Pasi shkuam në Zllashë shkuam të një shkollë tjetër, aty u lajmëruam, aty kish pas disa ushtarë, një komandant, një epror ku ta di unë, u lajmëruam aty, na i morën shënimet krejt dhe ok mbetëm aty.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A të kujtohet emri i këtij komandanti, eprori?
Dëshmitari: Fatmir Sopi, Adem Shehu dhe një Triumfi.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: The që shkove tek ata, të morën të dhënat dhe qëndrove aty, çfarë bëre aty të shkolla e Zllashit?
Dëshmitari: Çdo ditë dilnim, kemi pasur disa stërvitje, disa ushtrime, kemi bërë me Adem Shehun dhe Triumfin dhe pas katër pesë ditësh erdhën një njësi tjetër.
Dëshmitari ka thënë se në Zllashë ndodhej Brigada 153 të cilës shton se shkuan t’i bashkohen dhe sipas tij aty ishin edhe rreth 50 persona të tjerë, të rinj që stërviteshin për t’u bërë pjesë e UÇK-së.
Ai ka thënë se kanë qëndruar katër ditë në shkollë dhe ditën e pestë, sipas tij, atë e kanë marrë disa persona të tjerë, që ai thotë të kenë qenë Skifterët.
Dëshmitari: Nuk i kam njohur, erdhën katër ushtarë, me tesha të zeza, Skifterët qysh e kam kuptuar pastaj u quajtën, si një lloj njësi speciale diçka.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Pra thatë që ishin katër ushtarë që ishin të veshur me tesha të zeza, me uniformë të zezë, a ishin të armatosur këta persona, a kishin ndonjë shenjë dalluese në uniformat e tyre?
Dëshmitari: Emblema, pastaj e kam kuptuar lexojke BIA, diçka me tre shkronja, BIA.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A pat ndonjë shkrim në këto emblemat ose pjesët dalluese që kishin personat?
Dëshmitari: Krejt çka kam dalluar ka qenë ajo BIA.
Sipas dëshmitarit, personat i janë afruar në oborrin e shkollës ku po qëndronte dhe i kanë thënë të shkojë me ta të takojë komandantin.
Dëshmitari: Ata që më dërguan në Zllashë më thanë komandanti do të bisedojë me ty
“Vetëm më thanë ka me bisedu komandanti dhe u nisa me ta, unë nuk kam menduar asgjë, dhe nuk ke pas çka me me mendu ti me katër vetë të armatosur, edhe me të shku mendja diçka ti nuk ke mujt. Vetëm më thanë me ardh me neve ka me të pyet komandanti diçka, kaq, më shumë nuk më kanë thënë asgjë. Vetëm kanë thënë që jemi njësi speciale, Skifterët diçka më kanë thënë dhe duhet me vazhdu me ardh me neve, asgjë më shumë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.
Ai ka thënë se kanë shkuar në këmbë në objektin ku pretendon se është mbajtur e keqtrajtuar.
Dëshmitari: Më kanë vënë thes të zi në kokë
“Ne vazhduam atë rrugë një farë pjese goxha njëfarë cope, vazhduam ashtu në këmbë me ecë, shkuam me një vend që nuk e se di as vet sepse hera e parë në jetën time që isha në atë vend, ku u afruam afër diku ata më thanë ule kryet edhe më nuk dija as ku po më dërgojnë as çka po bëhet, kur jemi afruar krejt afër do objekteve diku, një thes i zi në se nuk gaboj ma vendosen në krye dhe më dërguan në një objekt brenda”, ka thënë dëshmitari.
Sipas dëshmitarit, brenda në ndërtesë ndodhej komandanti.
Dëshmitari: Kur më dërguan brenda kësaj ndërtesë aty kish qenë një komandant i tyre edhe kish qenë ulë përballë dhe më tha kush je, i tregova, tha për çka ke ardhur këtu, i tregova i thash kam ardhur me u kyç në ushtri me kontribu najsen, tha pse po rren, e qesi sene, nisi me ngritë zërin me ato senet e veta me ato bërtitma e mëdha, u çu dhe ma mëshoj edhe filluan me më rreh krejt.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Komandanti, a u prezantua se kush ishte, a e kuptuat ju se si quhej komandanti?
Dëshmitari: Nuk e kam kuptuar menjëherë por pastaj e kam kuptuar kush është dhe duke ju drejtu komandant Cali.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A dëgjuat ushtarë të tjerë që i drejtoheshin komandantit në ndonjë mënyrë?
Dëshmitari: Në fillim kur më kanë dërgu i thanë komandant e prunëm këtë djalin dhe e kam pa që ai është komandant aty, se u drejtojshin të ai krejt.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Çfarë do të thuash kur thua që unë më vonë e kam mësuar që ai ishte komandant?
Dëshmitari: Unë e dita që shkova para një komandanti, e dita si më kanë dërguar por emër ose diçka të tij nuk dita për momentin, as nuk u prezantua as asgjë, vetëm më dërguan para tij.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Pasi u dërguat brenda kësaj dhome, sytë i kishit të mbuluar, apo jo?
Dëshmitari: Sikur me juve qitu
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A të kujtohet se çfarë kishte veshur komandanti?
Dëshmitari: Një jakne të ushtrisë si me lara
Ai ka thënë se nuk mban mend ndonjë detaj tjetër nga pamja e personit që ai thotë të ketë qenë komandanti.
Dëshmitari: Ai më pyeti për çka ke ardhur këtu, unë i tregova, kam ardhur me u këqyr në ushtri me kontribu najsen sikur shumë të tjerë. Ai tha po rren se ti ke ardhur për qëllime të tjera.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A ju shpjegoi ai ju arsyet pse ju kishin çuar në atë vend
Dëshmitari: Jo, absolut. U çu më sulmoi, ja nisi me më rreh edhe filluan këta të tjerët pastaj.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A dëgjuat ndonjë person që u ipte të tjerëve urdhra që të rrihnin ty ?
Dëshmitari: Kam dëgjuar që kur ky ma ka mëshuar shuplakë ka thënë mbyteni krejt se po rren. E rrahura përfundoi deri në alivanosje, më kapën zhagë më qitën, më gjakosen krejt.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: Ku të tërhoqën zvarrë?
Dëshmitari: Prej asaj dhomës aty më qitën jashtë më dërguan në një ahur, stallë të lopëve.
Gjatë marrjes në pyetje, prokurorja e ka pyetur dëshmitarin rreth kësaj ngjarje dhe atë se çka ka deklaruar ai në një dëshmi për një prokuror të ZPS-së në vitin 2019.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A të thanë ata ty se për çfarë bëhet fjalë, dhe këtu prokurori ju bënë juve një pyetje, ndërkohë përgjigja juaj është kjo ‘veç më thanë që komandanti ka diçka për të të pyetur, pra ia do të ju pyes për diçka’. Tani vijoj me pyetjen e prokurorit ‘ a ju kanë maltretuar, a ju kanë keqtrajtuar juve ndërkohë që jeni dërguar në ndërtesën tjetër’, përgjigja juaj është ‘jo’. Pyetje ‘kur ti mbërrite të kjo ndërtesë çfarë të ndodhi më pas’, përgjigja që ti ke dhënë është kjo ‘më shtinë brenda, kishte disa shkallë, unë shkova në kati ne dytë të asaj ndërtesa dhe hyra brenda në dhomë, atje ishte një person, komandanti i ashtuquajtur i tyre dhe ai tha unë jam komandant Cali’. Zoti dëshmitar, a e mbani mend këtë pjesë të dëshmisë suaj?
Dëshmitari: Po tash kur po e shoh po e mbaj mend, këto kanë qenë edhe që nuk kemi mundur me u kuptu mirë. Tash kur po e shoh po më kujtohet por është puna që nuk kam mundur mirë sherri i deklaratës së vjetër diçka pyetje që mi bënte prokurori nuk kam mundur me u kuptu mirë me të. Kam pasur problem me u kuptu me disa gjëra dhe kjo është e vërtetë çka shkruhet këtu dhe më kanë dërguar të një komandant, kjo ka ndodhur.
Prokurorja Silvia D’Ascoli: A mbani mend që kur u dërguar në këtë dhomë, komandanti u prezantua se ishte komandant Cali
Dëshmitari: Aty e kam ditë që është komandant Cali, edhe kam dëgju kolegët e tij duke e thirrë Cal, e kam ditë që është ky komandant Cali.
Gjykimi i Salih Mustafës, i cili po ndjek atë përmes video lidhjes në Hagë, po vazhdon me dëshminë e dëshmitarit të tretë të ZPS-së.
Dëshmitari i parë i mbrojtur ka dëshmuar nga data 20 deri më 23 shtator, ndërsa dëshmitari i dytë ka dëshmuar nga 23 deri më 27 shtator. Të gjithë nën masa mbrojtëse të sigurisë.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.
***
Dëshmitari i tretë në rastin e Komandant Calit nisi dhënien e dëshmisë para dhomave të specializuara të Gjykatës Speciale.
Qysh në nisje të dëshmisë ai tha se ishte marrë nga katër persona të armatosur dhe të veshur me rroba të zeza të cilët i përkisnin njësisë speciale BIA.
“Mua më kanë marrë 4 ushtarë të veshur me tesha të zeza, ato ishin skifterët e Njësisë Speciale- BIA”, deklaroj dëshmitari.
Dëshmitari tha se pasi ishte marrë i kishin thënë se komandanti dëshiron të flasë diçka me ty.
“Kam qenë në oborr të shkollës në Zllash kur më pyeten për emër, njëri hyri brenda në shkollë dhe tre të tjerë ndejën me mua pasi doli ai nga shkolla me thanë eja se komandanti don me fol diçka me ty”, shtoj ai.
Pastaj dëshmitari deklaroi se ishte nisur me ta dhe kur i ishin afruar disa objekteve i kishin vendosur një thes të zi në kokë.Tutje dëshmitari tha se komandanti e kishte sharë, goditur e rrahur si dhe kishte thënë që ta mbysnin krejt.
“Kur më dërguan brenda në ndërtesë ishte ulun komandanti i tyre i cili më tha pse po rren, bërtiti më goditi dhe filluan të më rrahin krejt. Kur ma ka mshu shuplakë komandanti u ka thënë të tjerëve mbytne krejt se po rren, pastaj më kanë zhag e më qitën jashtë e më quan në një ahur-shtallë të lopëve”, shtoj dëshmitari.
***
Është paraqitur dëshmitari i tretë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, i cili do të dëgjohet në rastin ku ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa akuzohet për krime lufte.
Seancën e së hënës, Salih Mustafa po e ndjek përmes videolidhjes.
Edhe dëshmitari i tretë, sikurse dy dëshmitarët tjerë, po i nënshtrohet masave mbrojtëse, si shtrembërimi i zërit dhe pamjes në mënyrë që të mbrohet identiteti i tij.
Dëshmitari i parë i mbrojtur, W03593, e filloi deklarimin e tij më 20 shtator dhe dëshmoi për katër ditë radhazi, deri më 23 shtator, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, dëshmitari i dytë i mbrojtur, W04600, ka dhënë dëshminë e tij për tre ditë radhazi, më 23, 24 dhe 27 shtator.
Ndryshe, Mustafa është deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 15 shtator.
Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.
Sot vazhdon gjykimi ndaj Salih Mustafës
Trupi gjykues në Gjykatës Speciale do të vazhdojë sot procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës në orën 09:30.
Salih Mustafa, i njohur në luftë si “komandant Cali” është i arrestuari i parë nga Specialja dhe ky është gjykimi i parë në Dhomat e Specializuara.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë.
Seanca e paraqitjes së parë së Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Palët i dorëzuan si konfidenciale versionet e tyre të fundit të dosjeve paraprake, më 22 shkurt 2021 Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe më 6 maj 2021 mbrojtja.
Më 30 prill 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesat e pesë viktimave dhe i pranoi ato si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor, Grupi I. Më 7 maj 2021, gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues I.
Më 21 maj 2021, trupi gjykues miratoi kërkesat e katër viktimave tjera dhe i pranoi ato si viktima pjesëmarrëse në procedura si pjesë e Grupit 1. Trupi gjykues gjithashtu zgjati afatin për viktimat për të aplikuar deri në mbylljen e çështjes së Prokurorit të Specializuar.
Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021.
Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.