(E plotësuar 13:20) - Kurti – Haradinajt për bllokat: ‘Kuturu ad-hoc’ nuk veprojmë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka pyetur sërish kryeministrin e Kurti se çka do të bëjë në çështjen e bllokave.
“A jeni në dijeni që ia keni hequr një masë mbrojtëse që ka qenë e dedikuar të vështirësojë konkurrencën e bllokave të Serbisë. Kur ne kemi fabrika të bllokave edhe në Podujevë e Gjakovë, edhe e kanë më afër, çka bën Qeveria juaj, a do të lini këtë gjendje”, e pyeti Haradinaj, Kurtin.
Kryeministri iu ka përgjigjur Haradinjat, duke i thënë “kuturu ad-hoc nuk veprojmë”, që në shqip i bie “shkel dhe shko”.
“Po flasim edhe për blloka meqë është fushatë për zgjedhje lokale”, tha fillimisht Kurti.
“Vendimit i ka skaduar afati dhe duhet të vlerësojmë atë vendim a e ka arritur qëllimin e vet dhe pastaj të marrim vendim të ri se a ta vazhdojmë apo si ta vazhdojmë. Kuturu athok (Shkel e shko) nuk veprojmë”, tha kryeministri.
***
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se importi nga Serbia është kërcënim për prodhuesit vendor.
Ai i drejtoi pyetje kryeministrit Albin Kurti për mbrojtjen e prodhuesit vendor.
“Çështja e bllokave ndërtimor. Çfarë masa ka marr apo do të merr Qeveria për mbrojtjen e prodhuesit vendor duke e ditë se prodhuesit nga Serbia është kërcënim për prodhuesit tonë?. Pse po i hiqni barrierat për këto produkte që e stimulojnë importin nga Serbia si rasti i bllokave dhe po lejoni që shtëpitë tona mu ndërtu me dhe të Serbisë dhe po mundësoni dëmtimin e prodhuesve kosovar?”, pyeti ai.
E kryeministri Albin Kurti tha se krahas uljes së ndjeshme të importeve nga Serbia, pajtohet se duhet të ulen edhe më shumë dhe premtoi se do të punojnë për uljen e mëtejme.
“Krahasuar me periudhën e qeverisjes suaj, në periudhën e gjashtëmujorit të parë të vitit 2018 ne kemi një rritje prej 38 për qind të importit nga Shqipëria dhe rritje prej 80 për qind të eksporteve drejt Shqipërisë. Ky është synimi jonë afatgjatë. Në vlerën e 80 për qind është edhe rritja e vëllimit të eksporteve drejt Maqedonisë së Veriut një aleat tjetër i rëndësishëm”, tha Kurti.
Ai tha se kanë strategji shumë të saktë se si duhet të duket pasazhi i marrëdhënieve tregtare në të ardhmen.
“Vetëm duhet të keni durimin dhe besimin se nuk jemi në vitin e fundit të mandatit por në muajin e 7 të tij”, tha Kurti.