“Kam një makinë modeste, një Ferrari”. Kjo është deklarata e kandidatit të komunës së Podujevës, Xhemajl Hasani gjatë një interviste televizive në një debat zgjedhor.
Kandidati i Partisë NISMA për kryebashkiak të Podujevës në Kosovë, u bë menjëherë viral kur tha se makina e tij 70 mijë euro ishte modeste. Ditën e sotme Hasani ishte në një lidhje “Skype” me emisionin “Shqipëria Live”, ku u shpreh se “Ferrarin e ka dhuratë nga familja”.
I pyetur nëse ka bërë shaka apo ishte mjaft serioz me deklaratën, Xhemajli tha:
“Unë edhe garën e kam marrë me seriozitet. Edhe në atë debat kam qenë serioz. Një makinë modeste, dhuratë nga familja. E kur më tha çfarë është modeste, thashë Ferrari, pasi për mua çdo mjet është modest. Automjetin e kam dhuratë nga familja, edhe shtëpinë ku jetoj. Dhuratë kam edhe vilat. Jetoj një jetë modeste”, shprehet kandidati i Podujevës.
Ndërsa kur u pyet nëse e ka të deklaruar të gjithë pasurinë, Hasani tha: “Të gjitha i kam të deklaruar, lirisht mund të hulumtoni”.