Në shkurt të vitit 2019, Kosova u trondit nga rasti i një të miture në Komunën e Drenasit, e cila ishte shfrytëzuar seksualisht nga profesori Shkëlzen Xhekaj, dhe polici Vesel Veseli. Madje, sipas rrëfimit të mitures, polici Veseli e kishte lënë edhe shtatzënë e duke e detyruar të kryente abort padëshirën e saj.
Kur e mitura u shfaq publikisht me këto deklarata, policia arrestoi të dy personat, ndërsa tani që kanë kaluar dy vite e gjysëm, nuk është dhënë ndonjë informacion i ri për këtë rast.
Kështu, gazeta ‘Bota sot’ ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë për vijueshmërinë e këtij rasti, mirëpo ata thonë që e kanë proceduar në gjykatën kompetente. Ndërsa meqë rasti është procedurë gjyqësore, nuk mund të marrim një përgjigje konkrete.
“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, aktakuzën e ngritur lidhur me këtë rast e ka proceduar në gjykatën kompetente per trajtim të mëtejmë, prandaj, meqenëse rasti ndodhet në procedurë gjyqësore, mos hezitoni t'i drejtoni pyetjet në këtë institucion”, është përgjigjur për gazetën, Laureta Ulaj, zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Ndërkaq, në maj po të njëjtit vit 2019, Prokuroria Themelore kishte lajmëruar se të njëjtit janë liruar nga paraburgimi, ndërsa u është dhënë masa e arrestit shtëpiak. Konfirmimin për ndryshimin e masës e kishte dhënë Imer Beka, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Vajza nga Drenasi me inicialet A.G dyshohet se fillimisht u dhunua nga mësuesi saj e më pas edhe nga polici. Kujtojmë se Veseli ishte arrestuar para tre muajsh pasi dyshohej se kishte shfrytëzuar pozitën e tij duke abuzuar me vajzën deri kur ajo kishte mbetur shtatzëne, e më pas e kishte detyruar të abortonte.