Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas sesioneve plenare të Samitit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, takoi Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Borrell deklaroi se ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për targat e automjeteve. "Ai tha se kjo do të duhej të shërbente si momentum i ri për të përshpejtuar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare si rezultat e dialogut", thuhet në njoftim, pëcjell Bota sot.
"Kryeministri Kurti, në anën tjetër, u shpreh se reciprociteti do të jetë parimi mbi të cilin do të bazohen veprimet e shtetit të Kosovës. Po ashtu e njoftoi sërish Borrellin për pengesat jo-tarifore që Serbia u bën prodhuesve tanë, siç ishte rasti më i fundit me kamionin që u bllokua, ndonëse po kalonte vetëm tranzit nëpër territorin e Serbisë", tuhet më tej në njoftimin e Qeverisë.
Sipas Kryeministrisë, "të dy u pajtuan se dialogu është platforma, përmes së cilës palët arrijnë t’i zgjidhin çështjet e pazgjidhura."