Daut Haradinaj, kandidat i AAK-së për Kryetar të Prishtinës ka thënë se kundërkandidati i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia nuk është duke pranuar të përballët publikisht me kandidatët e tjerë në një debat.
Ai në Rubikon ka theksuar se Vitia si Ministër i Shëndetësisë ka dështuar që të menaxhojë me COVID-19.
“Unë kam qenë ushtar dhe udhëheqës në luftë, nëse më ishin vrarë 700 veta për një muaj prej okupatorit serb, unë isha ndier keq edhe e kisha ulur kokën para popullit tim, e lë më të vdesin nga virusi e mos të jetë në gjendje për një ngushëllim apo kërkimfalje publike për menaxhim”.
“Është mirë më ardh këtu në studio edhe t’i bëjmë pyetje njëri tjetrit ne rreth kësaj teme. Vetëvendosja refuzon të ballafaqohet dhe mendoj se qytetarët duhët ta shohin dhe ta ndëshkojnë me votë, qytetarët duhet të kuptojnë se ne nuk jemi në garë kundër Albin Kurtit. Vitia është pas Albin Kurtit, nëse del i pavarur as asambleist nuk bëhet”.
Haradinaj tutje e ka përmendur edhe kohën kur Arben Vitia ka shërbyer si Drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës.
“Më vite ka qenë drejtor i Shpend Ahmetit dhe nuk ka asnjë storje të suksesit, 42 fshatra nuk e kanë minimal as shërbimin shëndetësor sekondar. E kemi kohën kur pandemia është në vlug, shkoni në disa fshatra dhe e shihni se nuk ka shërbime dhe ata janë njerëz pa shpresë, një lajm i mirë është se infrastruktura rrugore iu ka shkuar dhe asgjë tjetër, psh Mramori është mbi liqenin e Badofcit dhe nuk ka ujë, Mramori nuk ka kanalizim, justifikimi është se nuk shkon uji në lartësi”.