Bashkësia Lokale Karaçevë e Poshtme i ka dërguar letër krerëve të shtetit, presidentes Osmani, kryeministrit Kurti, kryeparlamentarit Konjufca dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.
Përmes kësaj letre, kërkesa është për hapjen e shkollave të mbyllura, për çka Bashkësia thotë se banorët po largohen nga Karaçeva dhe shumë shpejt aty do të mbeten shumë pak banorë, përcjell Bota sot.
Më poshtë letra e plotë:
KËRKESË
Kryetarit të Kuvendit të Kosovës z. Glauk Konjufca
Presidentes znj. Vjosa Osmani
Kryeministrit z. Albin Kurti
Ministres së MASHT znj. Arbërie Nagavci
Të nderuara personalitete të instancave shtetërore. Përmes kësaj shkrese/njoftimi, ju drejtohem në emër të banorëve të brezit kufitar të fshatit Karaçevë e Poshtme për të shpërfaqur problemin dhe brengën e cila tashmë është çështje shqetësuese për faktin se me mbylljen e shkollës u legalizuan burgjet nëpër familje të nxënësve të cilët mbetën vetëm duke e soditur objektin e shkollës së mbyllur pa mësimdhënësit e tyre kurse shpresa se do të rihapej shkolla për çdo çast po fundoset, derisa ata të cilët po gjejnë mundësinë më të vogël po emigrojnë nga Karaçeva e Poshtme për pasojë të mbylljes së shkollës. Të njëjtin fat do ta kenë edhe nxënësit të cilëve ndonëse shpresuan se do t’iu vulosen dëftesat e vijimit të mësimit por u zhgënjyen dhe jo vetëm ata por edhe e gjithë familja.
Të nderuar,
Keni fëmijë në shkolla e ndoshta edhe të përzgjedhura, banorët e Karaçevës së Poshtme kanë kërkesë modeste (shkollë fillore publike) që fëmijët e tyre mos të mbeten analfabet.
Nëse konsideroni që kjo që është fakt që në Karaçevë të Poshtme dhe normale e jo anomali çfarë bëri Kryetari Kastrati, i cili në mënyrë indirekte ndikoi në largim të banorëve (që tashmë veçse kanë filluar) nga fshati për të qenë më afër shkollës për fëmijët e tyre. Kjo është shqetësuese meqë fshati shumë shpejt ka gjasa të mbetet i boshatisur dhe i banuar vetëm për aty këtu ndonjë të moshuar dhe egërsira. Ndërsa flitet me dekada se e kujt është Karaçeva e Poshtme? Tash sikur përgjigjen po e gjejmë. Karaçeva e Poshtme di të mbetet djerrinë dhe në vend të derës së hyrjeve të shkollës dhe shtëpive nuk do të ketë më nevojë të riparohen dorëzat e dyerve sepse ato nuk do të ketë kush t’i hap më, ato do t’i mbulojnë therrat, kurse jo shumë kohë të largët do të themi na ishte një kohë kur Karaçeva e Poshtme ishte në Kosovë dhe e banuar me banorë të cilët me fizikun e vet e mbronin vendin e tyre.
Të nderuar
Është koha e fundit të merrni hapa konkret sepse guri kur lëkundet nga vendi kurrë nuk dihet ku përfundon ose gjatë rrokullisjes shpërbëhet i tëri. Kemi shembuj të trishtë në historinë e dhimbshme kombëtare andaj para se te bëhet vonë veproni në mënyrë që mos të na mallkojnë gjeneratat derisa barra e përgjegjësisë bie mbi ju.
Karaçevë e Poshtme me nderime 06.10.21
Selver Lenjani Kr. i Bashkësisë Lokale Karaçevë e Poshtme.