Janë bërë më shumë se 1 muaj prej kur Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim Sadat Fejzin nga fshati Mogillë i Kllokotit, i cili dyshohet se më 13 gusht e ka dhunuar vajzën 14-vjeçare, të gruas së tij, por i njëjti ende nuk është kapur.
Fejzi dyshohet se e ka dhunuar vajzën e mitur të gruas së tij, të cilën ajo e kishte nga një martesë e mëhershme.
Babai i vajzës së mitur, ish-burri i gruas së Fejzit ka thënë se po ndihet jashtëzakonisht keq përderisa institucionet në Kosovë nuk po arrijnë të bëjnë asgjë për këtë rast.
“Nuk do të dorëzohem dhe do ta çoj drejtësinë deri në fund, derisa të kapet. Ndihem i neglizhuar që nuk po bëhet asgjë në këtë drejtim. Si nuk po munden ta kapin dikë që dy muaj. Kjo është e tmerrshme…”, tha ai.
Kujtojmë se për këtë rast të dhunimit mediat nuk u njoftuan nga Policia dhe kështu u fsheh nga publiku se një burrë dyshohet se e ka dhunuar vajzën e gruas së tij.
Prokuroria Themelore në Gjilan njoftoi muajin e kaluar se Sadat Fejzi gjendet ende në arrati, pasi dyshohet se e ka dhunuar një të mitur.
Sadat Fejzi, në ditën kur u shpall në kërkim u lajmërua, duke e mohuar se e ka kryer veprën penale të dhunimit. Ai tha se “ia ka dhënë dy-tri shuplaka”, gruas së tij, për shkak të disa mosmarrëveshjeve.
“Kush e dhunon gruan e kurorëzume, këtë mbane mend. Para një jave ka ndodhë disa mosmarrëveshje, ja kom jep nashta nja dy tri shuplaka, jo më shumë. Edhe dikush e ka lajmëru Policinë. Mu shumë më njohin, kom qenë drejtor i televizionit Dardania“, tha Fejzi.
Ky rast, është ndër shumë rastet e tjera, të tmerrshme që po ndodhin në Kosovë, e shumë herë po kthehen edhe në ngjarje tragjike.