Emërimi i Bordeve të Ndërmarrjeve Publike, flet ministrja Rizvanolli

Aktuale

Emërimi i Bordeve të Ndërmarrjeve Publike, flet ministrja Rizvanolli

Më: 9 tetor 2021 Në ora: 13:36
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur në lidhje me emërimet nëpër ndërmarrjet publike, duke thënë se me emërimin e bordeve të përkohshme kanë dëshmuar se në pozita kanë vendosur profesionistë dhe jo persona në baza të përkatësisë politike.

Rizvanolli po ashtu ka mohuar se zgjedhja e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi është bërë në bazë partiake.

Ajo theksoi se Krasniqi është vlerësuar si i vetmi që i plotëson kriteret edhe nga Ambasada britanike.

“E kemi dëshmuar edhe me emërimin e bordeve të përkohshme, se njerëzit që janë emëruar kanë qenë njerëz profesionistë, me përvojë dhe me integritet profesional e personal, e të cilët në asnjë mënyrë nuk janë zgjedhur në baza të përkatësisë politike”, tha Rizvanolli.

E pyetur për zgjedhjen e ish-drejtuesit të Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, Nagip Krasniqi në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Rizvanolli tha se ai ka qenë i vetmi person i kualifikuar për ta emëruar në këtë pozitë.

“Bordi siç jeni të informuar sigurisht, në atë proces të rekrutimit e ka mbikëqyrur edhe Ambasada britanike dhe i vetmi person që është konsideruar që i ka plotësuar kriteret për tu emëruar është ai person”, tha Rizvanolli.

“Kjo çështje është e komplikuar më së shumti për faktin sepse kemi një histori të hidhur ku njerëzit pa kualifikimin e duhur janë vendosur në pozita vetëm se e kanë përkrahur një parti politike. Është bërë njëfarë stigmatizimi që nuk duhet të ndodh. Në rastin që cekët, është përzgjedhur jo vetëm prej bordit, është vlerësuar i pari prej bordit dhe është i vlerësuar i pari dhe i vetmi nga Ambasada britanike”, thekson ajo.

Rizvanolli u shpreh se në borde të përkohshme që janë emëruar, nuk ka pasur asnjë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sa u përket bordeve të përkohshme nuk ka pasur asnjë që ka qenë anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje, bile mund të thuhet se nganjëherë i kemi bërë padrejtë vetëm se kanë pasur ndonjë lidhje, kjo është e padrejtë. Çka është me rëndësi për mua si ministre, që në secilën pozitë të jenë njerëz të kualifikuar”, tha Rizvanolli. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat