Ish Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami e ka mirëpritur lajmin se Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy personave nën dyshimet se kanë kryer vjedhjen e dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit.
Bajrami e cila në kohën kur u zbulua ky skandal ishte ministre e Financave, sot ka thënë se drejtësia duhet të shkojë deri në fund dhe hajnat të marrin dënimet kapitale.
Ajo theksoi se ndihet krenare që ka denoncuar rastin në fjalë.
Postimi i plotë i ish ministres Bajrami:
Drejtësia të shkojë deri në fund, hajnat të marrin dënimet kapitale
Lajm i mirë sot nga Prokuroria Speciale se ka ngritur aktakuzë ndaj dy të përfshirëve në vjedhjen e Thesarit. Drejtësia duhet të shkojë deri në fund. Secili i përfshirë në këtë rast duhet të dalë para drejtësisë dhe të marrin dënime kapitale.
Prokuroria dhe gjykata duhet t’i shkojnë deri në fund këtij rasti pasi gjithçka është e qartë deri në centin e fundit ku kanë shkuar.
Jam krenare se kam denoncuar këtë rast. Njëjtë do të veprojë edhe sot po të isha në pozitën e Ministres.
Drejtësia duhet të shkojë deri në fund.