(E plotësuar 15:23) - Gjykata Speciale e ka filluar transmetimin e seancës të së mërkurës, në rastin ku Salih Mustafa akuzohet për krime luftë.
Për momentin, gjykimi po zhvillohet në sesion privat.
Ndryshe, që nga mëngjesi i së mërkurës e deri më tani, transmentimi i kësaj seance nuk ka qenë i disponueshëm për shkak të problemeve teknike.
Gjykata Speciale njofton se ka probleme teknike me transmetimin e seancës në rastin e Salih Mustafës
Gjykata Speciale ka njoftuar se po has në probleme teknike me transmetimin e seancës të së mërkurës, në rastin ku Salih Mustafa akuzohet për krime luftë.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Specialja ka informuar se transmetimi i seancës, gjatë së cilës vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të katërt të mbrojtur, nuk është i disponueshëm.
“Ju informojmë se për momentin ka probleme teknike me transmetimin e seancës në çështjen Mustafa. Transmetimi nuk është i disponueshëm dhe jemi duke u përpjekur që ta zgjidhim problemin sa më shpejtë të jetë e mundur”, thuhet në këtë njoftim.
Edhe sot gjykimi ndaj Salih Mustafës në Hagë
Në Gjykatën Speciale në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i njohur me nofkën “Cali”.
Procesi gjyqësor ndaj Mustafës do të vazhdojë nga ora 09:30 dhe do të zgjasë deri në orën 16.00.
Ndryshe më 5 tetor ka përfunduar dëshminë dëshmitari i tretë në rastin e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Në seancën e javës së kaluar, dëshmitari gjatë deklarimit të tij, ka thënë se pasojat e asaj që i ka përjetuar gjatë luftës, vazhdon t’i ketë edhe sot.
Sot do të vazhdojë dëshmia e dëshmitarit të katërt.