(E plotësuar 17:05) - Sveçla, Borrellit: Gabon nëse mendon se koordinohemi me Beogradin
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i është përgjigjur deklaratës së përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për aksionin e sotëm në veri të vendit.
Sveçla ka thënë se aksioni të cilin Borrell e quajti “unilateral” nuk mund të ishte ndryshe, pasi sipas tij në Kosovë përgjigjet një Polici e Kosovë, Dogana, AKI-ja e KFOR-i, me të cilët janë koordinuar.
“Deklaratës së Borrell, së pari aksioni në luftë kundër kontrabandës ne kemi gati çdo ditë. Dje policia e Kosovës ka pasur aksion ku është arrestuar një falsifikator i faturave të ndryshme. Nacionaliteti i tij është turk. Është dashtë edhe dje të koordinohemi me dikë për aksionin tonë. Ky aksion ka qenë puro kundër kontrabandës që është plagë që po kullon për financat për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Kemi pasur koordinim me akterët ndërkombëtarë, i kemi informuar për këtë aktivitet”.
Sveçla tha se ëstë qasje e gabueshme nëse dikush mendon që Kosova i përgjigjet Beogradit për veprimet kundër krimit në territorin e Kosovës.
“Ai ka thënë aksion uniletaral, me kë mund ta bëjmë ne një aksion multilaterale, është një polici, një doganë, një AKI, një KFOR, që është informuar paraprakisht. Kështu që, për kë e ka pasur fjalën ai, nuk e di. Nëse dikush mendon se ne duhet të koordinohemi me Beogradin që të godasim ata që Beogradi po i mbron në krim, atëherë është qasje e gabueshme”, shtoi Sveçla në konferencë për media.
Drejtori i Policisë nxjerr detajet: Dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit lidhur me operacionin
Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, ka thënë se operacioni që është zhvilluar sot, ka filluar rreth një vit më parë. Ai ka treguar se është planifikuar të bëhet bastisja në 26 lokacione të ndryshme, prej tyre 5 në veri të Mitrovicës e 4 në Zveçan.
Ai ka treguar se për shkak të rezistencës nga qytetarët në veri, në tetë lokacione s’ka mundur të realizohet plotësisht operacioni.
“Ky operaci9ion ka filluar rreth një vit më parë dhe në të gjitha vendet tjera ka shkuar mirë, me përjashtim në veri. Janë planifikuar bastisje në 26 lokacione të ndryshme. Aksioni i parë në Prishtinë, më pas 6 në Pejë, 10 në Mitrovicë të Jugut, 5 në Mitrovicë të Veriut e 4 në Zveçan. Dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit, po hetohet kjo. Nga 9 lokacione në veri, tetë s’ka mundur të realizohet operacioni se qytetarët kanë penguar zhvillimin e operacionit. Si pasojë 10 zyrtarë kanë pësuar lëndime, 7 shqiptarë, tre prej tyre hetues, tre operatorë të njësisë speciale e tre të reagimit të shpejtë. Një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëave po ashtu është lënduar. Nuk e kemi konfirmuar ende nëse ka marrë lëndim nga ana e Policisë apo nga gjuajtjet që ka pasur nga qytetarët”, ka thënë Mehmeti në konferencë për media.
Ai ka treguar se ndaj policisë është shtënë me armë, ka pasur edhe hedhje të granatave të dorës, të tipit luftarak. Po ashtu shok bomba.
“Rreth orës 11 të gjitha njësitë policore që kanë pjesë në operacion janë tërhequr. Një informacion shtesë, në barnatoren ku janë sulmuar policët është lokal i një shqiptari që është i njohur për veprimtari kriminale. 26 lokacione, 8 persona janë arrestuar, 10 në kërkim, 10 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime. Lëndimet janë të lehta, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë. Një qytetar i lënduar, disa automjete zyrtare të dëmtuara, disave u është vënë zjarri. Pjesëtari që është i lënduar është një qytetar që ka precedent penal, ka qenë në 2011 u akuzuar për vjedhje të rëndë”, tha Mehmeti.
Ai ka paraqitur disa fotografi të predhave që janë hedhur.
Ministri Sveçla deklarohet për aksionin policor kundër kontrabandës
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovë kundër kontrabandimit të mallrave, është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.
Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar për shtet stabil dhe funksional dhe se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe as mburojë e krimit.
“Aksioni i sotëm në katër rajone rezultoi i suksesshëm në konfiskimin e mallrave dhe arrestimin e personve të përfshirë në kontrabandim e tyre. Ky aksion është pjesë e luftës kundër krimit të organizuar në tërë territorin e Kosovës dhe në asnjë mënyrë nuk është i drejtuar kundër qytetarëve apo lokacioneve të caktuara”, ka thënë Sveçla në një konferencë për media.
Ai ka thënë se të mërkurën në komunat veriore ka pasur dhunë të shfrenuar nga “strukturat kriminale” që sipas tij tani janë të patolerueshme.
Sipas tij, tetë zyrtarë policorë janë lënduar në aksionin në veri të Kosovës.
Aksioni policor më 13 tetor është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Policia ka thënë se në këtë aksion janë sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”.
Policia e Kosovës ka thënë se janë arrestuar dhe ndaluar tetë persona. Ndërkaq janë shpallur në kërkim edhe dhjetë të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kontrabandë me mallra.
Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është pamundësuar puna të mërkurën, më 13 tetor, nga një numër protestuesish në Rudarë të Zveçanit.
Me të hyrë në Rudarë, vetura me të cilën po udhëtonte ekipi i Radios Evropa e Lirë, është ndaluar dhe është rrethuar nga rreth 50 persona, të cilët kanë kërkuar që të mos xhirohen. Në tentim për ta marrë kamerën, e kanë dëmtuar atë dhe makinën taxi, me të cilën ishte duke udhëtuar ekipi.
Ekipi ka arritur të largohet nga turma pa u lënduar.
Ekipi i REL-it po udhëtonte në magjistralen Prishtinë-Rashkë, për të raportuar për barrikadat e vendosura në Rudarë të Zveçanit.
Serbët lokalë kanë vendosur aty kamionë, për të kundërshtuar një aksion të organizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.