VOA: Përleshje dhe të plagosur gjatë një operacioni të policisë në veriun e Kosovës

Aktuale

VOA: Përleshje dhe të plagosur gjatë një operacioni të policisë në veriun e Kosovës

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 18:38
Pamje nga veriu i Kosovës

Dhjetë pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe një pjesëtar i komunitetit serb janë plagosur të mërkurën gjatë një përplasjeje mes policisë dhe grupeve të protestuesve serbë në veriun e Kosovës, që kundërshtuan një operacion në shkallë të gjerë të policisë për sekuestrimin e mallrave të kontrabanduara në disa qytete.

Policia tha se operacioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës së Jugut pa ndonjë problem, ndërsa ajo hasi në rezistencë në Mitrovicën e Veriut dhe në komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe.

“Grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia, tha se hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Sipas policisë, përgjatë operacionit janë arrestuar tetë persona, të përkatësive të ndryshme etnike dhe janë sekuestruar mallra të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh, që janë gjetur në zonat ku janë kryer bastisjet.

Policia tha se operacioni policor ka përfunduar dhe se “situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një reagim përmes rrjeteve sociale se veprimet e sotme policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë kryuer me urdhër e të bashkërenduar me prokuroritë dhe gjykatat përgjegjëse.

“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”, shkroi ai, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre, siç tha, e disa medieve në Serbi “që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, përmes një komunikate për media ftoi bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë.

“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin Albin Kurtin. Situata është dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur, të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha ajo.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “veprimet e njëanshme dhe të pa bashkërenduara që rrezikojnë qëndrueshmërinë janë të papranueshme”. Në një postim në rrjetet sociale ai tha se të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve duhet të trajtohen përmes bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Tensionet e së mërkurës, ndodhën pak kohë pasi që Bashkimi Evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ndërmjetësoi një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të targave që çuan në tensione të larta ndërmjet të dyja vendeve.

Dënohen sulmet ndaj gazetarëve në veriun e Kosovës

Shoqatat e gazetarëve dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thanë të mërkurën se gazetarët janë sulmuar gjatë ditës nga protestuesit serbë, që po kundërshtonin një operacion të policisë në veriun e Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha se “janë sulmuar disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut dhe një tjetër incident ka ndodhur rrugës për në Leposaviq, ku protestuesit kanë ndjekur nga pas veturat me gazetarë”.

Sipas shoqatës, sulme dhe trysni pati edhe ndaj gazetarëve të portalit lokal “Kossev”, në gjuhën serbe dhe “si pasojë, redaksia i ka tërhequr ekipet e saj nga terreni”.

Ndaj sulmeve reagoi edhe Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve

Asociacioni tha se një ekip i Radios Evropa e Lirë, ishte në mesin të sulmuarve nga protestuesit në veri të Kosovës.

“AGK-ja e ka pranuar me shqetësim lajmin se ekipi i këtij medium ndërkombëtar është rrethuar nga 50 persona, të cilët kanë kërkuar që të mos xhirohen. Në tentim për ta marrë kamerën, e kanë dëmtuar atë dhe makinën taxi, me të cilën ishte duke udhëtuar ekipi. Fatmirësisht, ekipi ka arritur të largohet nga turma pa u lënduar”, shkroi kjo shoqatë, duke u bërë thirrje “organeve të rendit të kujdesen për sigurinë e gazetarëve në pjesën veriore të vendit”./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat