​Kurti: Është e rëndësishme të adresohet e shkuara dhe transmetimi ndër-brezor i traumës

Aktuale

​Kurti: Është e rëndësishme të adresohet e shkuara dhe transmetimi ndër-brezor i traumës

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 19:41
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë në krah shtetin e tyre dhe do të kenë përkrahje më të madhe.

Ai këto komente i bëri sot me rastin e promovimit të librit dhe ndarjes së çmimit “Vasfije Courage Award”, në 22-vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitim e të Mbijetuarve të Torturës.

Ai vlerësoi si të rëndësishëm dhe të veçantë librin “Përdhunimi: Një histori turpi, ditari i të mbijetuarve", të autores Wiola Rebecka, që përmbledhë rrëfime të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës nga pjesë të ndryshme të botës, përfshirë dhe Kosovën.

Kurti theksoi domosdoshmërinë e adresimit të së shkuarës dhe trajtimit të transmetimit ndër-brezor të traumës.

“Marrë parasysh sa pak kemi bërë për të adresuar të shkuarën e për t'u ballafaquar me të, është një lloj luksi që të merremi në këtë moment edhe me transmetimin ndër-brezorë të traumës. Nëse nuk fillojmë të merremi tash me të, do të na ndjekë dhe zë pas shumë viteve, sërish të papërgatitur,” tha ai.

Të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë në krah shtetin e tyre dhe do të kenë përkrahje më të madhe, potencoi kryeministri Kurti.

“Është e rëndësishme që të adresohet e shkuara, dhe bartësve të dëmit nuk u intereson aq se prej kujt adresohet, prapëseprapë është jetike që adresimi i të shkuarës të jetë stabil. E stabiliteti nënkupton iniciativa solide të cilat qasjen e kanë nga poshtë-lartë, por realizimin e kanë nga institucionet kompetente e adekuate të shtetit. Prandaj sot u falënderohemi për forcën e pashembullt zonjës Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila e ka vazhduar misionin e shenjtë të Marte Tunajt, si dhe zonjën Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e cila ka ndarë rrëfimin e saj në librin për të cilin jemi mbledhur këtu”, u shpreh Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat