“Vendimi ynë është i qartë dhe i fortë si mur, do ta ruajmë dhe do ta mbrojmë popullin tonë në Kosovë e Metohi. Nuk ka tërheqje. Dorëzimi nuk është opsion. Rroftë Serbia!”. Kjo deklaratë e presidentit të Serbisë dhënë sot pas aksionit të Policisë së Kosovës në Veri, ka nxitur reagimin e profesorit universitar, Milazim Krasniqi.
Sipas Krasniqit, kjo deklaratë është sinjal i qartë që Vuçiq po planifikon ndërhyrje ushtarake në Kosovë.
“Nga teksti i tij në Instagram dhe nga fjala e tij para ushtrisë e xhandarmerisë sot në Kralevë, është e qartë që Vuçiqi po planifikon ndërhyrje ushtarake në Kosovë. A për targa, a për smoka a për ndonjë tjetër pretekst, mbetet të shihet. Por, plani është i qartë”, ka shkruar Krasniqi në facebook.
Sipas tij, Kosova duhet ta shmang çdo pretekst për këtë ndërhyrje.
“Çdo ndërhyrje ushtarake e Serbisë, shkakton rrëzimin e qeverisë Kurti dhe shkakton tragjedi në jetët e njerëzve. Ky është mesazhi im”, ka shkruar profesor, Milazim Krasniqi, përcjellë “Bota sot”.