Bashkimi Evropian, pret që tema për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të hapet këtë vit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë pritje të BE-së po e kundërshton ashpër njohësi i çështjeve politike në Kosovë Jusuf Thaçi. Ai ka thënë se BE-ja po vepron si zëdhënëse e Serbisë, duke kërkuar defunksionalizimin e shtetit të Kosovës, përcjell Bota sot.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet ta informojë BE-në dhe Serbisë që Asociacioni ka “vdekur dhe varrosur”. "Partia në pushtet në Kosovë duhet të bashkërendohet me partitë opozitare dhe së bashku ta votojnë në Kuvendin e Kosovës anulimin e marrëveshjes për Zajdenicën (që është miratuar më herët nga kuvendi)", ka shkruar ai.
Reagimi i tij në Facebook:
BE-ja si zëdhënëse e Serbisë, bashkë me Serbinë, po kërkuakan Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë (Zajednicën), apo entitet në baza etnike me kompetenca ekzekutive, përkatësisht defunksionalizim të shtetit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës duhet ta informojë Serbinë dhe BE-në që Zajednica ka vdekur.
Jo vetëm kaq, partia në pushtet në Kosovë duhet të bashkërendohet me partitë opozitare dhe së bashku ta votojnë në Kuvendin e Kosovës anulimin e marrëveshjes për Zajdenicën (që është miratuar më herët nga kuvendi). Pas kësaj, Qeveria e Kosovës duhet ta informojë Serbinë dhe BE-në që Zajednica jo vetëm që ka vdekur, por tashmë edhe është varrosur.