​Xhafer Tahiri beson në fitoren e tij pa balotazh më 17 tetor

Aktuale

​Xhafer Tahiri beson në fitoren e tij pa balotazh më 17 tetor

Më: 14 tetor 2021 Në ora: 19:58
Foto nga takimi

Kryetari i Vushtrrisë, njëherësh kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Xhafer Tahiri, ka zhvilluar sonte një takim me banorët e fshatit të tij të lindjes Stanoc i Poshtëm, ku edhe ka prezantuar planin e tij qeverisës.

Tahiri u shpreh falënderues për mbështetjen që i ka dhënë Stanoci i Poshtëm katër vjet më parë, teksa premtoi se do të vazhdojnë me punët e mira në Vushtrri.

Tahiri: Komuna jonë punon për banorët e saj

"Para katër vjetësh, kur kam ardhur në qytet, ju e dini që e kemi pasur një qytet që i është përgjigjur kryetarit të një qyteti tjetër. Sot kemi një qytet që punon për banorët dhe qytetarët e vet. Katër vjet më parë kur kemi ardhur në komunën e Vushtrrisë, komuna as nuk interesohej ku e gjuani bërllokun, as nuk interesohej për ujin, as nuk interesohej për çerdhe e nxënës, e as nuk interesohej për shëndetin. Katër vjet pas unë jam i kënaqur që kemi arritur që bashkë ta bëjmë një komunë që kur të lindë dikush në familjet tona komuna ndan 120 euro, kur vdes dikush komuna mbulon shpenzimet e varrimit. Komuna ndërton çerdhe më shumë për fëmijët", tha ai.

Tahiri tha se është i lumtur që për këto katër vjet të qeverisjes në Vushtrri kanë ofruar shërbime të mira shëndetësore dhe që kanë zgjidhur çështjen e ujit të pijshëm e menaxhimit të mbeturinave. Me mbështetjen që mori në vendlindje, Tahiri tha se është i bindur që ai dhe LDK do të fitojnë më 17 tetor.

Tahiri: Të dielën fitojmë me të parën

"Jam tepër i nderuar sonte me krejt këtë masovitet, ju sonte po e vërtetoni që ne të dielën fitojmë me të parën. Programi ynë për Vushtrrinë është një program për të gjitha familjet e Vushtrrisë pa dallime partiake, pa dallime të tjera religjioze, pa dallime fshat dhe qytet, është një program që sjell punësim, zhvillim dhe investime në Vushtrri, është një program që ka projekte vitale infrastrukturore që do ta përmirësojnë jetën e të gjithë qytetarëve të Vushtrrisë", tha ai.

Tahiri ka ftuar bashkëvendësit e tij që të dielën të votojnë për LDK, që Vushtrria të vazhdojë të jetë shembull për transparencë e për punë të mira.

Mbështetje rikandidimit të Xhafer Tahirit për të parin e Vushtrrisë i ka dhënë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, i cili tha se kjo parti e ka kandidatin më të mirë për Vushtrri dhe se do të fitojë pa balotazh.

Gashi: Më 17 tetor votoni për Xhafer Gashin dhe LDK-në

"Janë vlerat e LDK-së që më në fund po triumfojnë dhe njerëzit po e kuptojnë se çka do të thotë të jesh me LDK. Sot po shihet se si LDK-ja është e përkushtuar për shtetin, se si LDK është e përkushtuar për vendin...Ju e njihni Xhafën mirë, e dini që është një djalë i mirë, e dini që është një kryetar i mirë, e dini që është një kryetar i përkushtuar, e dini që Xhafa e do Vushtrrinë, Stanocin dhe e do punën që bën. Për punën që e bën si kryetar i Komunës së Vushtrrisë nuk ka më të mirë, andaj sonte kërkoj nga ju që të dielën të gjithë të votoni për LDK dhe Xhafer Tahirin", tha Gashi.

Xhafer Tahiri gjatë ditës ka takuar edhe banorët e fshatit Stanoc i Epërm, ku edhe ka përuruar fabrikën e tekstilit./

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat