Kryetari aktual i Komunës së Prizrenit dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Mytaher Haskuka premton që në mandatin e tij të ardhshëm, kryeqytetin historik do e shndërrojë në një vend me perspektivë për vende pune e zhvillim të turizmit. Ai për mandatin e ardhshëm premton shumë projekte infrastrukturore që do ndikojnë në zhvillimin e kësaj komune.
Haskuka fillimisht ka në plan të zgjidh problemin e papunësisë për banorët e kësaj komune përmes ndërtimit të tri zonave ekonomike.
Haskuka: Problemi i qytetarëve është punësimi, për të pasur punësim duhet të ketë zhvillim
“Ne e kemi parë që problemi kryesor i qytetarëve të Prizrenit është punësimi, për të pasur punësim duhet të ketë zhvillim dhe prodhim, pasi pa prodhimtari nuk ka punësim në atë aspekt derisa qeverisjet e kaluara kanë shkatërruar zonat industriale të qytetit, ne jemi duke krijuar zona të reja industriale ashtu që prodhuesit vendor të mund të investojnë dhe me pas punësim. Zonën ekonomike e kemi përfunduar në aspektin e infrastrukturës, tash mbetet te funksionalizimi dhe krijimi i një zyre për bashkëveprim të investimeve për të treguar se ku mund të investohet”, theksoi ai.
Prioritet për mandatin e ardhshëm ai thotë se ka edhe rregullimin e unazës së qytetit punimet e të cilët kanë filluar, ndërsa, synim mbetet edhe krijimi tregut të gjelbër modern.
Haskuka zotohet edhe për krijimin e një ndërmarrje komunale që do merret me menaxhimin e parkingjeve.
Pretendeti për të parin e kryeqytetit historik, Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se në mandatin e ardhshëm synon rivitalizimin e sistemit të ujitjes, i cili kap shifrën mbi 5 milionë euro.
Pretendeti për kryetar të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka për mandatin e ardhshëm synon ta kthej këtë qytet historik në një qytet të gjelbër me zonën më të madhe ku mund të ecësh në këmbë duke mbyllur lëvizjen e automjeteve nga Administrata Publike e deri te objekti i Kuvendit Komunal të Prizrenit.
Krahas kësaj, Haskuka në mandatin e ardhshëm premton edhe ndërtim të parkingut nëntokësor dhe park edhe në lagjen “Bashderhane”.
Haskuka: Kemi tri punë kryesore
“Për ta bërë këtë janë tri punë kryesore. E para është ta ndërtojmë tunelin nga rruga Dardania 2, deri tek mulliri rrugës për Prevallë, i cili është një tunel 1.2 kilometra kushton diku rreth 20 milionë dhe jemi në bisedime dhe Bankën Botërore dhe disa agjenci të tjera për financim. Projekti ideor është, po ashtu është bërë analiza dhe tani mbetet të bëhet projekti total dhe të fillojnë punimet”, deklaroi pretendenti për të parin e Prizrenit.
Haskuka tutja ka treguar edhe planet e tij që do ndikojnë në zhvillimin e turizmit në këtë komunë me shume pasuri historike.
Ai ka në plan që të ndërtojë shtegun historik por edhe objektet kulturore të kthehen në bujtina që do mund të shfrytëzohen për turizëm.
Haskuka: Prizreni do ta bëjmë kryeqytet të turizmit, kulturës dhe trashëgimisë
“Prizreni është kryeqyteti historik por do ta bëjmë kryeqytet të turizmit, kulturës dhe trashëgimisë. Mendojmë qe turizmi në Prizren zhvillohet për shkak të kulturës apo trashëgimisë kulturore që kanë qyteti jonë dhe këtu kemi shumë pika ku do intervenojmë së pari jemi duke filluar me rrymën që të gjitha kabllot në qendrën historike të hyjnë nën tokë procesi ka filluar me projektin e KEDS dhe janë shtruar bypass për kabllon elektrike dhe tash në dy-tre muajt e ardhshëm shtyllat do të hiqen dhe kabllot do futen nëntokë. Këtu duhet bërë edhe rregullimi i kanalizimeve sepse ka mbetur problem... pas kësaj e kemi edhe ndërtimin e shtegut historik i cili është në bashkëpunim me BE ku komuna e Prizrenit ka fituar këtë projekt dhe tani do vazhdoj investimet në shtegun historik i cili është në qendër të Prizrenit[...]qëllimi jonë është që ndërtesat e trashëgimisë kulturore të kthehen në bujtina dhe restaurante dhe ashtu të përfitohen për turizëm”, tha ai.
Kandidati i LVV-së për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka thotë se në mandatin e ardhshëm do tëpërfundojë ndërtimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërsa zotohet edhe për ndërtimin e 11 terreneve sportive.
Haskuka: Do të ndërtojmë 11 terrene sportive
“Kemi ndërtimin e Qendrës së re të Mjekësisë Familjare apo QKMF-së e cila është nga vitet e 80-ta dhe tash tek zona e Ish KFOR apo tek parku i inovacionit e kemi kthyer një parcelë dhe kemi filluar ndërtimin. Po ashtu edhe qendra të sportit dhe rinisë ne kemi shumë pika në periudhën e kaluar kemi ndërtuar shtatë terren sportive ndërsa ne të ardhmen do bëjmë ndërtimin edhe 11 terreneve sportive”, tha Haskuka.
I pari i Prizrenit thotë se në mandatin aktual kanë identifikuar rreth 100 objekte shkollore por edhe Qendra të Mjekësive Familjare në nevojë për efiçiencë energjetike, prandaj ai zotohet se këtë do të arrijë ta realizojë në mandatin e ardhshëm.
Haskuka ka renditur disa nga punët e mira që ka realizuar gjatë mandatit të tij duke thënë se kanë arritur të realizojnë rreth 95% të projekteve të paraparë në këtë mandat.
Ai tha se gjatë këtij mandati katër vjeçar kanë krijuar edhe qendrën për shërbime të integruara me gjithsej 56 sportele në dispozicion.
Kryetari aktual i Prizrenit, Mytaher Haskuka thotë së gjatë mandatit të tij ka arritur ta kthej besimin e qytetarëve te shëndetësia primare, pasi kanë bërë edhe riorganizimin e tërësishëm të këtij sektori duke ofruar shërbime të reja si ai paliativ dhe për personat e moshuar.
Haskuka: Kemi bërë reforma të shumta në drejtoritë e Komunës
“Gjatë mandatit katër vjeçar kemi bërë reforma të shumta në të gjitha drejtoritë e Komunës por mund të theksohet reforma në administratë që nga rregullimi i koeficienteve të punëtorëve të administratës pastaj kemi analizuar gjitha shërbimet që jep komuna mbi 200 mijë shërbime janë analizuar së bashku me Bankën Botërore dhe i kemi thjeshtësuar dhe lehtësuar 80% të procedurave komunale[...]në shëndetësi kemi bërë riorganizimin e tërësishëm të sektorit të shëndetësisë duke ofruar shërbime të reja siç kemi shërbimi paliativ për persona që janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk mund të dalin për shërbime shëndetësore[...]laboratorët e Prizrenit nga 70 mijë analiza kanë kaluar në 450 mijë analiza në vit dhe në aspektin e shërbimeve nga shëndetësia primare vitin e kaluar kemi dhënë mbi 1 milionë shërbime”, theksoi ai.
Haskuka tha se edhe në sektorin e edukimin dhe arsimit kanë investuar duke ndërtuar dy çerdhe publike dhe 7 objekte shkollore, ndërsa edhe 3 janë në përfundim.