Minatorët e minierës me flotacion Trepça janë në grevë dhe kanë kërkuar nga Bordi i kësaj ndërmarrje takim-sqarimi lidhur me vendimin e sotshëm që Enis Abdurrahmani të emërohet krye-shef i Trepçës, në kohën kur ndërmarrja ishte në bilanc pozitiv, kishte rritje disipline në punë dhe mbi të gjitha rritje të vazhdueshme të prodhimit.
Kundër emërimit janë shprehur sindikata e minatorëve të Trepçës, të cilët po ashtu kanë kërkuar nga bordi njoftim dhe takim zyrtar, lidhur me vendimin e sotshëm, i cili vjen në momentin kur ndërmarrja ka shënuar rritje prodhimi dhe mbarëvajtje në sigurimin e pagave edhe shlyerjen e borxheve.
Të përkujtojmë se që nga dhjetori i vitit që shkoi kur në krye të Trepçës si zëvendës fillimisht e pas disa muajve edhe si krye-shef i ndërmarrjes Trepça erdhi Rafet Ibishi, vazhdimisht Trepça ka shënuar rezultate pozitive , rritje prodhimi, rritje përgjegjësisë në punë dhe shlyerje të borxheve, ndërkohë që nuk ka marr asnjë donacion mbështetje nga qeveria, siç bënte në të kaluarën.
Si rezultat i këtyre masave dhe duke falënderuar minatorët, vetëm në muajin shtator janë shënuar rezultate rekorde prej 18 mijë tonë prodhim, ndërkohë që përkushtimi dhe angazhimi i minatorëve është për çdo lëvdatë, ka thënë krye-shefi i deritashëm Rafet Ibishi.
Sipas burimeve nga ndërmarrja Trepça, gjatë kësaj kohe ndërmarrja ka siguruar me kohë pagesat me furnitorët edhe pagat e punëtorëve pa asnjë vonesë, sikurse fal këtij bilanci ia doli të shlyejë edhe mbi 2 milionë euro borxhe të trashëguara.