Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me drejtorin e Doganave të Kosovës, Agron Llugaliun, ka thënë se deri në mesin e vitit të ardhshëm terminalet doganore shtetërore do të shtrihen në të gjithë vendin.
Këtë lajm e ka mirëpritur drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK Demush Shasha, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se ky vendim është shembull i radhës se me vullnet politik bëhen lehtë reformat evropiane.
Reagimi i tij në Facebook:
“Do e djegim gjithë makinerinë tonë, nëse vendoset ky haraç” – patën ulëritur përfaqësuesit e bizneseve në vitin 2013, kur u vendos taksa e terminaleve private doganore.
Nga ana tjetër, në kafet e Prishtinës shaka e shehrit ishte: “Me përpara largohet KFOR-i, se sa qe largohet homologimi dhe terminalet private.”
Vendimi për largimin e terminaleve private doganore nuk është vetëm heqja e një barre të padrejtë mbi bizneset, por edhe përmbushja e një obligimi në rrugën tonë integruese. Kësisoj, vendimi është edhe shembulli i radhës për të demonstruar se sa lehtë është të bësh reformat evropiane. Vetëm nëse ke vullnet politik.