Lëvizja Vetëvendosje –Dega në Drenas, ka akuzuar kryetarin aktual të Drenasit Ramiz Lladrovcin, se ka sulmuar verbalisht dhe fizikisht ish-kandidatin e PDK-së për deputet Fatmir Dugollin.
Në një postim në Facebook, VV e ka quajtur këtë sulm të papranueshëm dhe të dënueshëm, përcjell Bota sot.
Sipas VV-së, Lladrovci e theu heshtjen zgjedhore në mënyrën më flagrante të mundshme.
Reagimi i plotë në Facebook:
Sulmi i sotëm verbal dhe fizik i kryetarit në ikje, Ramiz Lladrovci ndaj një anëtari të një subjekti politik, Fatmir Dogollit, për Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Drenas është akt i papranueshëm dhe i dënueshëm.
Gara parazgjedhore në Komunën e Drenasit ka kaluar pa incidente, mirëpo pikërisht në ditën kur heshtja duhet të mbretërojë, Ramiz Lladrovci e theu në mënyrën më flagrante të mundshme.
Gara politike demokratike, e qetë, pa presione dhe incidente, është përgjegjësi e të gjitha partive, kandidatëve dhe qytetarëve. Çdo shkelje të rregullave ligjore e zgjedhore, ka për qëllim dëmtimin e procesit zgjedhor, që është instrumenti më i rëndësishëm në demokraci.