Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Lipjanit, Adnan Rrustemi ka pranuar humbjen në këto zgjedhje lokale.
Ai përmes një postimi në Facebook ia uroi fitoren kundër kandidatit të tij nga radhët e LDK-së, Imri Ahmeti, përcjell "Bota sot".
Gjithashtu, Rrustemi falënderoi të gjithë qytetarët që i besuan platformës së tyre dhe e votuan atë.
Postimi i plotë
Numërimi i votave përfundoi. Unë i uroj fitoren z. Ahmeti. Ne në raport me zgjedhjet lokale jemi më shumë se dyfishim. Asambleistët e zgjedhur të Lëvizjes do të jenë këtu për t'u siguruar që nuk dëmtohet interesi publik.
Unë falenderoj nga thellësia e zemrës secilin qytetarë që ka besuar në platformën tonë dhe na ka votuar.
Ndërsa, aktivistë të dashur e të mrekullueshëm, ju keni bërë një punë të jashtzakonshme. Me fushatën dinjitoze i keni dhënë peshë Lipjanit dhe e keni nderuar atë, e mua më keni bërë borxhli të përjetshëm. Me atë çfarë kam parë në dijen, kreativitetin e përkushtimin e juaj, jam krejt i bindur që shumë shpejt, Lipjani ju përket juve ashtu sa ju Lipjanit.