Partia Demokratike e Kosovës ka fituar katër komuna pa balotazh. Në Mitrovicën e Jugut, Bedri Hamza ka mposhtur Agim Bahtirin e LVV-së, i cili për tetë vjet ishte kryetar i kësaj komune.
Në Ferizaj ka fituar sërish Agim Aliu, derisa PDK-ja ka arritur ta rikthejë bastionin e vetë, Skenderajn. Fadil Nura mundi kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin, që ishte kandidat i pavarur.
Kandidati i PDK-së në Hanin e Elezit, Mehmet Ballazi, ka arritur ta mposhtë kryetarin e deritanishëm të kësaj komune, kandidatin e pavarur, Rufki Suma.
Kjo parti do të garojë në balotazh në Prizren me Lëvizjen Vetëvendosje (Shaqir Totaj dhe Mytaher Haskuka), në Malishevë me Nismën (Isni Kilaj dhe Ekrem Kastrati), në Drenas me ‘Demokratët për Drenasin’ (Ramiz Lladrovci dhe Driton Ajazi).
Në Klinë me AAK-në (Zenun Elezaj dhe Esat Racaj), në Vushtrri me LDK-në (Xhafer Tahiri dhe Ferit Idrizi), në Shtime me LVV-në (Naim Ismajli dhe Qemajl Aliu), në Dragash me LDK-në (Shaban Shabani dhe Xhevdet Xheladini) dhe në Kaçanik me LVV-në (Besim Ilazi dhe Jeton Raka).