(E plotësuar 17:56) - Seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka vijuar e mbyllur në pjesët ku avokati mbrojtës i ka prezantuar dëshmitares disa artikuj të publikuar në mediat e Kosovës, në të cilët përmenden emra të personave, disa prej tyre serbë.
Gjatë seancës, avokati mbrojtës ka pyetur hetuesen rreth dorëheqjes së ish zëvendësprokurorit të specializuar dhe nëse do të duhej mbaheshin nën vëzhgim zyret e OVL-UÇK pas 7 shtatorit, në mënyrë që parandalohej rrjedhja e dokumenteve të tjera
Me urdhër të trupit gjykues, pjesët ku duhet të përmenden emra që lidhen me dëshmitarët apo dëshmitarët e mundshëm, nuk duhet të jenë publike.
Dëshmitarja e ZPS-së, Zenka Pumper i është përgjigjur mbrojtjes së Hysni Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees, ku shumë prej pyetjeve janë kundërshtuar nga prokuroja Valeria Bolici.
Avokati Rees: Paragrafi 16 i deklaratës suaj që ka numër 084015, në paragrafin 16 ju thoni se keni parë një artikull që quhet “Skandali tjetër i Dhomave të Specializuara, ajo ka bashkëpunuar me oficerë të ushtrisë serbe që kanë qenë aktivë në kohën e Millosheviqit”, botuar në gazeta New Born. Kur e keni parë këtë artikull?
Prokurorja Bolici: Kundërshtojmë, për referencën e titullit të artikullit, lidhur me urdhrin që dha gjykatësi kryesues.
Gjykatës Smith: Kundërshtimi juaj nuk pranohet.
Avokati Rees: Kur e keni shikuar këtë artikull ju lutem?
Dëshmitarja Pumper: Në kohën e duhur, kur po përgatitesha për këtë deklaratë.
Prokurorja Bolici: Kundërshtoj.
Gjykatësi Smith: Ka një numër ERN ky dokument, kjo faqja e internetit, nuk e di pse kundërshtoni.
Prokurorja Bolici: Lidhur me leximin me zë të faqes së internetit në seancë të hapur
***
Një situatë e paprecedent ka ndodhur sot gjatë gjykimit të Gucatit e Haradinajt në Gjykatën Speciale.
Atje, ish-nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj është nervozuar me një kërkesë të gjykatësit që avokati Jonathan Elystan Rees të mos përmend emra të serbëve të cilët ata i kanë në dispozicion.
Kjo kërkesë ndaj avokatit Rees u bë pasi që ai e pyeti dëshmitaren në lidhje me Vladimir Vukçeviq, ish-prokuror serb për krime lufte, në të kundërtën duhet të shkohet në seancë të mbyllur.
Një situatë e tillë shkaktoi nervozizëm te Nasim Haradinaj, derisa atij iu tërhoq vërejtja që të mos ndërhyjë.
***
Dëshmitari i parë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, po dëgjohet edhe sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po iu përgjigjet pyetjeve të avokatit mbrojtës.
Zenka Pumper, e cila është hetuese në ZPS dhe po dëshmon në këtë gjykim, ka thënë se dokumentet, të cilat i ka shqyrtuar kanë pasur përcaktimin si konfidenciale, por që nuk është në dijeni se kush ishin personat që kishin bërë një përcaktim të tillë.
Pumper ka thënë se para 25 shtatorit 2020, nuk ka parë asnjë dokument nga ajo që e ka konsideruar pastaj si paketa 1, meqë sipas saj, nga kjo datë edhe është përfshirë në hetimin e kësaj çështje.
Dëshmitarja i është përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së Hysni Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees.
Rees-Pumper: Pyetje-përgjigje
Avokati Rees: Keni parë ndonjë nga dokumentet që ishin në atë që e quani ju paketa1, përpara se të fillonit shqyrtimin, pak kohë pas 25 shtatorit?
Dëshmitarja Pumpe: Jo.
Avokati Rees: Asnjë dokument të vetëm?
Dëshmitarja Pumper: Nuk besoj që kam parë.
Avokati Rees: Në paragrafin 6 të deklaratës përshkruani paketën 1 si një paketë që kishte 891 faqe dokumentesh në anglisht, serbisht, gjermanisht. Ju flisni shumë mirë anglisht, besoj që flisni edhe gjermanisht, po serbisht flisni, apo kishin ndihmës që ju ndihmuan për të përkthyer dokumentet?
Dëshmitarja: Të dyja.
Avokati Rees: Kur e keni parë përkthimin, a keni mbajtur ndonjë shënim për përkthimet?
Dëshmitarja Pumper: Po, mbajtëm shënime.
Avokati Rees: Ku ndodhen këto?
Dëshmitarja Pumper: Janë në bazën e të dhënave.
Avokati Rees: Në cilën?
Dëshmitarja Pumper: Në bazën e të dhënave të brendshme.
Avokati Rees: Pra, një dokument që nuk është parashtruar për qëllime prove.
Dëshmitarja Pumper: Ashtu është, nuk ka as vulë.
Avokati Rees: Megjithatë mbahet në bazën e të dhënave të ZPS-së?
Dëshmitarja Pumper: Po, ashtu është.
Avokati Rees: Në paragrafin 7 pohoni se paketa 1 përfshin kërkesa konfidenciale për ndihmë, kështu?
Dëshmitarja Pumper: Po.
Avokati Rees: Me këtë doni të thoshit se këto kërkesa për ndihmë ishin konfidenciale?
Dëshmitarja Pumper: Po, ishin kërkesa konfidenciale.
Avokati Rees: Si e keni kuptuar ju apo si e kuptoni ju fjalën konfidencialitet, kur keni bërë këtë pohim e kishit parasysh faktin që kërkesat ishin konfidenciale dhe matën shkallën kur këto kërkesa duhet të klasifikoheshin si konfidenciale?
Prokurorja Bolici: Kundërshtojmë, janë të njëjtat pyetje që u bënë edhe dje të cilat ju nuk i pranuat zotëri gjykatës.
Avokati Rees ka insistuar që dëshmitarja të tregojë se cila është mënyra e cila i përcakton disa dokumente si konfidenciale.
Rees-Dëshmitarja: Pyetje-përgjigje
Avokati Rees: Çfarë tiparesh morët parasysh, çfarë veçorish, që ju bënë të besonit që ishte diçka konfidenciale, çfarë tiparesh nuk ju bënë të mendosh se një dokument ishte konfidencial?
Dëshmitarja Pumper: Kam parë një nga një dokumente dhe për secilin dokument kam listuar veçori që mendova se mund të ishin konfidenciale, për shembull ato që thuhen konkretisht në dokument që dokumenti është konfidencial, dokumenti kishte një numër çështjeje ishte nxjerrë nga prokurori i krimeve të luftës në Serbi, nga policia në Serbi, apo nga TFHC, se dokumenti mbante informacion mbi krime apo hollësi të personave, dëshmitarëve, apo dëshmitarëve të mundshëm, hollësi personale po përshkrime informacioni për krime.
Avokati Rees: Ju nuk morët parasysh, kur patë fjalën konfidenciale që i bashkëngjitej dokumentit, nëse e kishte vendosur këtë fjalë një autoritet i duhur, që ishte klasifikuare si dokument konfidencial?
Dëshmitarja Pumper: Jo.
Avokati Rees: Nëse procesi i klasifikimit të dokumentit ishte i ligjshëm?
Dëshmitarja Pumper: Jo, nuk e bëra këtë.
Avokati Rees: Nëse klasifikimi ishte i nevojshëm?
Dëshmitarja Pumper: Jo
Avokati Rees: Nëse përdorej për të fshehur shkeljen e autoritetit të kompetencës për shembull?
Prokurorja Bolici : Kundërshtoj, dëshmitarja i tregoj faktorët që mori parasysh.
Gjykatësi: E pranoj kundërshtimin, pyetjet janë bërë dhe është përgjigjur, po përpiqeni të shtoni dëshmi që ajo nuk është e gatshme të jap.
Rees-Dëshmitarja: Pyetje-përgjigje
Avokati Rees: Dhe kush ishin personat që i përcaktonin në Serbi dokumentet si konfidenciale?
Dëshmitarja Pumper: Unë nuk e di se kush ishin këta persona, unë kam parë dokumente që kishin këtë përcaktim dhe dukeshin sikur ishin nga institucionet serbe.
Avokati Rees: A e keni verifikuar autoritetin e këtyre personave për t’i përcaktuar dokumentet në Serbi si konfidenciale?
Dëshmitarja Pumper: Jo.
Avokati Rees: A keni verifikuar që është bërë i duhur në Serbi për dokumentet serbe për tu klasifikuar si konfidenciale?
Dëshmitarja Pumper: Jo.
Avokati Rees i ka prezantuar dëshmitares edhe disa dokumente të datës 8 shtator, për të cilat ka thënë se janë transkript i një interviste. Të njëjtat nuk janë bërë të ditura për publikun.
Rees-Dëshmitarja: Pyetje-përgjigje
Avokati Rees: Ju ishit në dijeni që kishte një interesim të konsiderueshëm nga shtypi sa i takon ngjarjes së 7 shtatorit, e pranoni këtë, që kishte një interes në shtyp?
Dëshmitarja Pumper: Nuk i kushtova rëndësi asokohe sepse isha përfshirë në një punë tjetër.
Avokati Ress: Pra, nuk u vetëdijesuat për raporte, reportazhe, artikuj në televizione, dhe në shtyp sa u takon ngjarjeve të 7 shtatorit?
Dëshmitarja Pumper: Po, dua të them që i kam kushtuar rëndësi atyre, sigurisht kam dëgjuar për to, por nuk kam bërë kërkim.
Rees-Dëshmitarja: Pyetje-pëgjigje
Avokati Rees: Si ndodhi që e filluat shqyrtimin, ju kërkuan juve ta bëni apo e keni nisur me nismën tënde?
Dëshmitarja Pumper: Ma ngarkuan si detyrë.
Avokati Rees: Pra, procedurë normale e punës në ZPS është të ngarkohet një detyrë verbalisht për të bërë një detyrë, pa mbajtur një proces verbal, ndonjë dokumentacion?
Dëshmitarja Pumper: Po, kështu është.
Avokati Rees: Kush ta ngarkoi këtë detyrë verbalisht?
Dëshmitarja Puper: Zonja Bolici.
Avokati Rees: Çfarë të kërkojë ajo që të bëje.
Dëshmitarja Pumper: Nuk më kujtohen hollësitë.
Avokati Rees: Prandaj po të ishte mbajtur shënim me shkrim do të ishte një dokument i dobishëm.
Dëshmitarja Zenka Pumper ka thënë se dokumentet që i ka shqyrtuar dhe klasifikuar pastaj si paketa 1 ishin kopje.
Dëgjimi i dëshmitares së parë po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe kjo është dita e tretë e dëshmisë së saj. Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po marrin pjesë në seancë me prezencë fizike.
Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Përmes një parashtrese drejtuar trupit gjykues, mbrojtja e Hysni Gucatit ka kërkuar lirimin e këtij të fundit nga masa e paraburgimit.
Gucati po akuzohet bashkë me Nasim Haradinajn për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Ndryshe, gjykimi në këtë rast ka nisur më 7 tetor, kurse më 18 tetor dëgjimi i dëshmitares së parë, e cila dëshminë e saj po e vazhdon edhe sot.
Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
***
Ka nisur seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Vazhdon edhe sot gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt në Hagë
Edhe sot, në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, do të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Seanca e sotme do të fillojë në orën 09:30 dhe pritet të vazhdojë deri në orën 16:00.
Në seancën e djeshme kundër tyre ka dëshmuar dëshmitarja e parë, Zenka Pumper, e cila është hetuese në kuadër të Zyrës se Prokurorisë së Specializuar.
Ajo tha se në dokumentet e publikuara nga Haradinaj dhe Gucati, që ishin dërguar në zyrat e tyre nga “rrufeja”, kishte informacione për dëshmitarët e Speciales.
Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.
Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë dhe që atëherë po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë