Doli i dyti në raundin e parë të zgjedhjeve, por pret të fitojë garën për balotazh.
Shaban Shabani nga PDK-ja do të garojë kundër Bexhet Xheladinit të LDK-së në garën për kryetar të Dragashit.
Ndërsa beteja për të parin e kësaj komune do të mbahet më 14 nëntor, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka ftuar qytetarët e Dragashit që të përkrahin Shaban Shabanin, si kandidati i vetëm i duhur që ofron zhvillim dhe transformim të mirëfilltë të kësaj komune.
“Shabani, jo vetëm që ka qenë kryetar transformues, por edhe bashkëqytetar i afërt e i përkushtuar për njerëzit e mrekullueshëm të Dragashit, me të cilët ka rrugëtuar së bashku në punët e mëdha që janë bërë e në mundësitë që janë hapur. Sot, ai ka më shumë se kurrë vullnet për të vazhduar misionin e tij për të hapur perspektivë të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Dragashit. Ai është i tyre dhe me ta, do të vazhdojë të bashkëqeverisë, për ta nxjerrë Dragashin në tjetër nivel”, shkruan Krasniqi në Facebook.
Shaban Shabani në zgjedhjet e 17 tetorit mori 33.69 për qind të votave.