Komisioni Evropian të martën ka publikuar Raportin e Progresit për vitin 2021 për Kosovën.
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian thekson se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe të arrijë marrëveshjen finale me Serbinë.
Komisioni Evropian, edhe këtë vit, inkurajon Qeverinë e Kosovës që të angazhohet në procesin e dialogut dhe t’i rinisë negociatat për ta arritur marrëveshjen finale me Serbinë, e cila në raport cilësohet si çështje urgjente.
Në lidhje me këtë ka folur ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.
Ai tha se Qeveria e Kosovës, duhet ta zbatoj ligjin përderisa është në fuqi dhe të mos merret me dokumentet e vitit 2015-të.
“Derisa Ligji është në fuqi, Qeveria obligohet ta zbatojë. Nëse nuk ka vullnet ta zbatojë atëherë duhet të merret me Ligjin jo me dokumentin e vitit 2015, sepse ai dokument nuk është as ligj, as rregullore, as statut e as dekret, nuk është akt juridik. BE nuk kërkoi zbatimin e marrëveshjes së vitit 2015 por të asaj të vitit 2013, që është ratifikuar me ligj si marrëveshje ndërkombëtare”, tha Mustafa për FrontOnline.
Pas dorëzimit të Raportit të Progresit, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, mbajti një konferencë për media së bashku me kryeministrin, Albin Kurti.
Shefi i BE-së tha se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e kaluara të arritura në Bruksel, përfshirë edhe ajo për formimin e Asociacionit.
“Si BE dhe kjo është edhe në Raport, duhet zbatuar gjitha marrëveshjet e kaluara dhe kjo përfshinë edhe marrëveshjen e vitit 2013 për Asociacionin”, u shpreh ai.
Ndërsa, kryeministri Kurti, tha se për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit Gjykata Kushtetuese ka lëshuar një aktgjykim në vitin 2015-të, dhe kësaj marrëveshje i janë përgjigjur edhe 200 mijë qytetarë të Kosovës.
“Aktgjykimi i kushtetutës i publikuar me 23 dhjetor 2015 edhe peticion me mbi 200 mijë qytetar në vitin 2015 edhe fryma e kushtetues dhe institucioneve tona nuk lë hapësirë për solucione monarkike dhe kjo nuk do të thotë se ne nuk i dëgjojmë kërkesat e qytetarëve serb në Kosovë të cilat për neve janë të tjera edhe për nga forma e për nga përmbajtja me aspiratat e Beogradit. unë jam kryeministër i Kosovës dhe ju shërbej të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike prejardhje shoqërore apo feje të caktuar, pra jam kryeministër demokrat”, është shprehur Kurti.