Ish kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa përmes një shkrimi të tij në Facebook ka bërë thirrje që të mos votohet kryetari aktual i kësaj komune, Lutfi Haziri.
Ai ka thënë se i beson ndryshimit në këtë komunë, por nuk i beson qeverisjes aktuale, apo siҫ e quan ‘Pablo Ecsobarit’ të vogël të Gjilanit dhe klanit të tij kriminal.
Mustafa shkruan se ‘vazhdimi i qeverisjes me Lutfi Hazirin dhe me LDK-në është katastrofik për Gjilanin’.
“Është momenti i duhur me i lënë inatet e frustrimet dhe me e votue ndryshimin dhe shpresën për një komunë të të gjithëve pa dallim dhe në të cilën secili e ndien vehten edhe krijues edhe hisedar. Për një komunë me demokraci stabile, me zhvillim dinamik, pa krim e pa korrupsion”, shkruan Mustafa.
Postimi i plotë:
UNË I BESOJ NDRYSHIMIT NË GJILAN PO ASËSESI NUK I BESOJ "PABLO ESCOBARIT" TË VOGËL TË GJILANIT DHE KLANIT TË TIJ KRIMINAL
E kuptoj nevojën e ndonjërit për shfryerje mllefi ndaj LVV-së dhe Alban Hysenit sepse mentaliteti dhe skena politike kosovare, fatkeqësisht, ka krijue armiq e jo rivalë politikë në arenën demokratike. Por, më shumë se ky "mirëkuptim", e dij që vazhdimi i qeverisjes me Lutfi Hazirin dhe me LDK-në është katastrofik për Gjilanin. Thjeshtë, vazhdimi me këta njerëz është përcaktim për me e fundosë komunën e me vazhdue me e pasurue dhe me ia zgjatë jetën Lutfi Hazirit me rrethin e tij kriminal. Populli i Gjilanit ka sens më të hollë se sa thirrjet e do përfituesve të rastit e të çastit për me e përkrahë Lutfi Hazirin dhe bandën e tij.
Ndonjërit që nuk e ka përkrahë deri dje sepse "kinse" e kishte partinë e tij në garë dhe që ia ka nisë me e përkrah sot mundet edhe me i ra mirë por kjo ka me ndodhë krejtë rastësisht. Edhe Pablo Escobarin e Kolumbisë e kanë dashtë disa mijëra njerëz të Kolumbisë sepse fëlliqitë dhe megakrimin e tij është mundue me e kamuflue me aspekte "humanitare" për shtresat e shtrira përtokë. Por, Pablo nuk ka arritur kurrë ta mashtrojë as popullin kolumbian e aq më pak Amerikën e cila ia përcaktoi fundin. Dhe fundin e tij tragjikomik e kemi të gjithë të njohur.
Është momenti i duhur me i lënë inatet e frustrimet dhe me e votue ndryshimin dhe shpresën për një komunë të të gjithëve pa dallim dhe në të cilën secili e ndien vehten edhe krijues edhe hisedar. Për një komunë me demokraci stabile, me zhvillim dinamik, pa krim e pa korrupsion.
Popull i Gjilanit, mos u mashtro sepse pastaj ske kujt me ju ankue. Mos e perkrah të keqen e të shëmtuarën në oborrin tënd sepse ti je i Zoti i shpisë.
Voto për ndryshim.
Voto për Alban Hysenin i cili në këtë çast, bashkë me subjektin e tij LVV por edhe me ndihmën e qartë e të parezervë të PDK, AAK, AKR, KDTP, VATRA, PD, Lulzimit, Ganiut e të mijëra qytetarëve të tjerë jopartiakë është e vetmja shpresë e këtij ndryshimi.
LDK duhet të ikë sa më parë dhe si e vetme në opozitë sepse kjo është më shumë se e nevojshme për Gjilanin.
Jam shumë i sigurtë që ky ndryshim ka me ndodhë edhe përkundër disa zërave e thirrjeve qofshin ato edhe të liderëve lokal e qendror të subjekteve që i theksova.
Gëzuar Gjilan!