Gjatë ditës së sotme është mbajtur një takim mes ushtrueses së detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku dhe përfaqësuesve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ku është diskutuar rreth masave antiCOVID.
Pas këtij takimi, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se orari i gastronomisë do të ndryshojë, kurse ora policore pritet të fillojë nga ora 24:00-05:00.
“Sektori i gastronomisë është diskutuar të punojë deri në ora 23:00, kurse orë policore do të ketë nga ora 24:00-05:00. Mbajtja e maskës mbetet ende në fuqi”, tha ai.
Lidhur me këtë, sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, tha se nuk janë plotësuar 100% kërkesat e tyre nga Ministria e Shëndetësisë rreth masave kundër COVID-19.
“Propozimet tona kanë qenë që të funksionojmë në bazë të rregullores komunale dhe të bëhet ngritja e kapaciteteve brenda lokaleve të gastronomisë si dhe heqja e orës policore. Ka ngritje të orarit të gastronomisë por jo në pajtueshmërinë e rregullores komunale. Është lajm i mirë duke pasur parasysh dëmet që po shkaktohen në Gastronomi gjatë kësaj periudhe kohore”, shtoi ai.
Tutje, Vranica tha se nuk pajtohen plotësisht me masat e reja kundër COVID-19, por sipas tij, është përçuar mesazhi për lirimin e këtyre masave nga Ministria e Shëndetësisë.
“Nuk është se pajtohemi 100% me masat e reja, por përderisa ka pasur veprim nga MSh-ja, konsideroj se nuk do të ketë lëvizje nga ne sepse është përçuar mesazhi që ka për qëllim lirimin e masave”, deklaroi Vranica.
Sot në Kosovë janë konfirmuar 16 raste të reja me koronavirus.