E rrallë/ Ramush Haradinaj i del në mbështetje Vjosa Osmanit

Aktuale

E rrallë/ Ramush Haradinaj i del në mbështetje Vjosa Osmanit

Nga: P.R Më: 22 tetor 2021 Në ora: 17:26
Ramush Haradinaj, Vjosa Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se janë shpallur ‘non grata’ dy zyrtarë rusë.

Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, t‘i shpallë persona non grata dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve tona dhe të SHBA-ve, NATO-s, dhe BE-së. Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, ka shkruar Osmani në njoftimin e saj.

E ish kryeministri i Republikës së Ksoovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në facebook ka mbështetur kërkesën e Presidentes Osmani për shpalljen persona të padëshiruar dhe dëbimin e dy zyrtarëve rus nga Kosova.

Askush që ushtron aktivitete që cenojnë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk është i dëshiruar në vendin tonë. Në këtë frymë, mbështes kërkesën e Presidentes Osmani dhe vendimin e MPJD për shpalljen persona të padëshiruar dhe dëbimin e dy zyrtarëve rus nga Kosova. Secili që tejkalon rregullat e qëndrimit në vendin tonë, duhet të trajtohet sipas ligjit. Ndikimi rus në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duhet të luftohet me vendosmërinë më të madhe nga institucionet tona”, ka shkruar Ramush Haradinaj, përcjellë “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat