Koloneli dhe oficeri i parë i FSK-së, Sefer Isufi, ka thënë se pjesëtarët e komunitetit serb janë nën presion të madh për të aplikuar në konkurset për t’u bërë pjesë e Ushtrisë së Kosovës.
Ai në Edicionin Special ka deklaruar se ministri i Mbrotjes, Armend Mehaj, i fton të gjithë qytetarët nga komunitetet të aplikojnë në konkurset për t’iu bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Pjesëtarët e komunitetit serb kanë qenë nën presion të madh, nën presionin e shantazheve nga Qeveria serbe. Po e sjell këtu mesazhin e Ministrit të Mbrotjes, Armend Mehaj, i cili i fton të gjithë qytetarët e rinj të të gjitha komuniteteve që të aplikojnë dhe të bashkohen me FSK-në sepse FSK-ja është e gjithë qytetarëve si dhe për t’i shërbyer këtij vendi e kemi obligim të gjithë”.
“Kemi pasur një numër të vogël të serbëve që kanë aplikuar në konkursin e fundit të FSK-së të cilët i janë nënshtruar procesit të rekrutimit. Shpresojmë se në konkursin e ardhëm të aplikojnë të rinj nga të gjitha komunitetet tjera”.
Ai ka folur edhe për rekrutimin e 180 ushtarëve të rinj të FSK-së, të cilin e ka quajtur si një sukses.
“Po e vazhdojmë suksesin edhe sot ishte një moment i veçantë betimi i 180 ushtarëve të rinj aktiv të FSK-së, ky është suksesi i radhës në mesin e shumë sukseseve. FSK-ja është në procesin e realizimit të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së, plan i cili planifikohet të realizohet në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Në kuadër të këtij plani përveç ngritjes së kapaciteteve dhe aftësive teknike, kemi edhe planin për ngritjen e kapaciteteve humane në FSK. Ky plan është i shkallëzuar dhe për çdo fazë kemi të planifikuar edhe numrin e rekrutimit të pjesëtarëve të rinj të FSK-së”.
“Ky numër prej 840 pjesëtarëve është planifikuar të përmbush numrin apo kuotën për të sistemuar të gjitha kontingjentet apo formacionet e FKS-së që i kemi të planifikuar në fazën e parë të tranzicionit të FSK-së”,ka thënë Isufi.
Ai ka ftuar të gjithë personat që dëshirojnë të aplikojnë për t’u bërë pjesë e FSK-së si dhe ka deklaruar se çdo konkurs zhvillohet në transparencë të plotë.