Profesori në Universitetin e Parisit Nezir Kraki, ka thënë se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) është i vetmi shërbim sekret pa asnjë sekret.
Duke folur për skandalin e fundit në këtë institucion, Kraki ka akuzuar një shtresë të pretenduar intelektuale, që sipas tij, me vite u shërbeu si fasadë publike bandave anonime të nëntokës, përcjell Bota sot. Sipas tij, në këtë listë bëjnë pjesë gazetarë, profesorë, diplomatë, gjyqtarë, prokurorë, shkrimtarë e madje edhe artistë.
Por, tani sipas tij, fasada “intelektuale” e bandave po kthehet në rrënojë të turpshme e të zbehtë në tentim për ta rishkruar historinë.
Postimi i plotë i Krakit në Facebook:
Fasada intelektuale e bandave
Rasti me agjentët e AKI-së në shërbim të bandave politike është një provë më shumë se si ishte kapur shteti në çdo hallkë dhe në çdo sferë.
Megjithatë, le ta rikujtojmë se makineria e kapjes dhe e krimit ekonomik nuk do të funksiononte kurrë pa ndihmën e një shtrese të pretenduar intelektuale, e cila me vite u shërbeu si fasadë publike bandave anonime të nëntokës. Gazetarë, profesorë, diplomatë, gjyqtarë, prokurorë, shkrimtarë e madje edhe artistë…zgjodhën për 20 vite rrugët e shkurtra të pasurimit, faktorizimit apo intelektualizimit, në dëm dhe në dhunim flagrant të parimeve bazë të integritetit personal e profesional.
Falë kësaj fasade, bandat s’u penguan por u ndihmuan, s’u shpërfaqen, por u kamufluan deri ditën kur ciklit të së keqes kolektive i erdhi ‘natyrshëm’ fundi. Me fundin e ciklit nisi shembja e krejt asaj superstrukture banditeske. Prandaj, tash dalin lajme senzacionale, sepse shteti ka filluar të frymojë normalisht. Ndërkohë fasada «intelektuale» e bandave po kthehet në rrënojë të turpshme e të zbehtë në tentim për ta rishkruar historinë.
A ju kujtohet kur flisja për intelektualin e dëmshëm si fenomen? Ata pra kanë qenë fasada e bandave dhe falë bandave janë mediatizu, pasuru, kravatu e qytetëru. A realisht kurrë kush s’i ka llogarit as respektu brenda rrjetit.
Nejse… AKI më duket se është i vetmi shërbim sekret pa asnjë sekret.