DOKUMENT: Bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit Rugova sjell dokumentin që Kolonel Krasniqi paralajmëroi rrezikun e Mitrovicës, lajmëroi Rugovën, Berishën e Bukoshin

Aktuale

DOKUMENT: Bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit Rugova sjell dokumentin që Kolonel Krasniqi paralajmëroi rrezikun e Mitrovicës, lajmëroi Rugovën, Berishën e Bukoshin

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 tetor 2021 Në ora: 11:16
Arkiv/ Presidenti Ibrahim Rugova, Sali Berisha

Bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit historik, Ibrahim Rugovës, Skender Zogaj në një shkrim të tij autorial ka kujtuar rrezikun e qytetit të Mitrovicës, qysh në kohën kur kolonel Ahmet Krasniqi ishte ende gjallë dhe ministër i Mbrojtjes.

Zogaj thotë se Kolonel Krasniqi e dinte se Mitrovica do të ishte rreziku kryesor për Kosovën.

“Ministri i Mbrojtës dhe komanduesi i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, koloneli Ahmet Krasniqi, që në vitin 1997 e kishte të hetuar rrezikun që paraqiste Mitrovica për Kosovën e pasluftës. Prandaj, ia kishte kushtuar vëmendjen e duhur nga pikëpamja ushtarake dhe, për këtë çështje e kishte informuar me shkrim presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, presidentin e Shqipërisë Sali Berisha, dhe kryeministrin e Kosovës Bujar Bukoshi”.

Skender Zogaj sjell dokumentin e plotë të kolonelit Ahmet Krasniqi.

DOKUMENTE: Mitrovica në planin strategjik të ministrit të mbrojtjes të Republikës së Kosovës, kolonelit Ahmet Krasniqi

KOLONELI E DINTE SE MITROVICA DO TË ISHTE RREZIKU KRYESOR PËR KOSOVËN

Ministri i Mbrojtës dhe komanduesi i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, koloneli Ahmet Krasniqi, që në vitin 1997 e kishte të hetuar rrezikun që paraqiste Mitrovica për Kosovën e pasluftës. Prandaj, ia kishte kushtuar vëmendjen e duhur nga pikëpamja ushtarake dhe, për këtë çështje e kishte informuar me shkrim presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, presidentin e Shqipërisë Sali Berisha, dhe kryeministrin e Kosovës Bujar Bukoshi.

Dokumentin e kolonelit po e japim të plotë.

Kolonel Ahmet Krasniqi:

I – FORCAT E ARMIKUT (vlerësim në vitin 1997)

          Sot ushtria jugosllave e organizuar në ca armata, secila në përbërjen e  saj me nga disa korpuse, është një prej forcave më të respektuara në hapësirën ballkanike. Këto forca janë në gjendje që kur të bëhet mobilizimi të depërtojnë thellë në drejtime taktiko-operative në territorin e Kosovës. Kuptohet se vetë hapësira e Kosovës, si hapësirë operativo-strategjike, nuk  mundëson angazhimin e as gjysmës së këtyre forcave dhe, as nuk mund të angazhohen vetëm në këtë drejtim. Ushtria tokësore e armikut, njësitë (blinduese, mekanizuese, artilerike etj.) kanë një potencial të fortë.

          Mirëpo, edhe pse përbëjnë një forcë të fortë, ajo teknikë më nuk shkon me kohën, nuk ka reparte prodhuese të cilat do ta përtërijnë. Repartet prodhuese të armikut as që paramendohen të vendosen në lëvizje për prodhimin serik të teknikës së lartë (tanke, helikopterë, aeroplanë luftarak, transportues blindës, armë artilerike etj.). Tani fabrikat e prodhimit të teknikës ushtarake mund të prodhojnë dhe të mirëmbajnë topa të kalibrave të ndryshëm e me gjuajtje të predhës me largësi mesatare: MH, MHRSHT-128 mm, topa 30-130 mm, raketa të ndryshme me largësi të vogla, municion.           Njësitë e aviacionit edhe pse jo aq bashkëkohore (përveç eskadrilës së Mig-29) të rreshtuara në ca regjimente të korpusit aviator, janë në gjendje të bëjnë mbështetjen e forcave tokësore në çdo pikë të sipërfaqes tokësore të Kosovës. Përdorimi i aviacionit të armikut mund të pritet sidomos në fazën e parë të aksioneve luftarake. Këtë e bëjnë të mundshme aeroportet ushtarake që janë të locuara përreth Kosovës (Nish, Kralevë, Podgoricë). Pritet se veprimet nga ajri, pas fillimit të luftës, do të bijën për çdo ditë, dhe ato do të kalojnë në veprime çifti. Kjo vjen në shprehje kur kemi parasysh karakteristikat e aviacionit dhe veprimet tona nga toka. Sot nga krahu i një operuesi mund të lansohen raketa të tipave të ndryshme (S-1, S-2) të cilat me siguri e godasin cakun në ajër. Po ashtu duhet të dimë se çmimi i këtyre është dhjetëra herë më i vogël se çmimi i një aeroplani luftarak. Është e mundshme, dhe duhet ta kemi parasysh se, forcat e armikut në fazën e tërheqjes nga territori i Kosovës do të përdorin gazrat helmues. Veprimet e tilla mund të përdoren nga aviacioni dhe granatat e topave të kalibrit të madh. Sot ushtria jugosllave posedon me këto gazra që shkatërrojnë sistemin nervor ose që veprojnë në lëkurë.

          Morali i forcave të armikut, që nga fillimi i luftës në territorin e ish Jugosllavisë, e sidomos pas humbjeve të mëdha në Republikën e Kroacisë dhe B e H është në rënie rapide dhe të paparashikuar nga vetë subjektet më të larta të ushtrisë jugosllave.

          Gjithashtu duhet të dimë se ndërrimet kuadrovike, që u ndërmorën në ushtrinë jugosllave (pensionimi, largimi i kuadrit komandues) kanë lënë pasoja të mëdha në moralin e ushtrisë si faktorë mobilizimi për luftë.

          Mund të konstatojmë në vend të përfundimit se, ushtria jugosllave ka një potencial të madh njerëzor, dhe nuk guxohet të mohohet dhe të nënçmohet, por duke marrë parasysh shumë rrethana në të cilat qe disa vite ajo gjendet: humbje në njerëz betejë pas beteje, rënia e standardit, prezenca e forcave të NATO-s në B e H, veprimet e Gjykatës së Hagës etj. morali i ushtrisë jugosllave është në një nivel shumë të ulët dhe nuk paramendohet se ajo do të ndërmerr luftë të intensitetit të lartë, nuk është në gjendje të angazhojë forca të mëdha njerëzore për kontrollin e territorit të Kosovës dhe për mobilizim lufte frontale.

II - FORCAT GJITHËPOPULLORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

          Populli shqiptar i Kosovës (Shqipëria Veriore) është populli më vital në Evropë, me moshën mesatare më të re. Kjo tregon se Kosova për çdo vit rritet për një korparmatë të re ushtarësh. Ky numër i banorëve tregon se sot Kosova është në gjendje të formojë një armatë të mjaftuar për mbrojtjen e vendit. Kjo fuqi e forcave tona, nëse organizohet si duhet është në gjendje të luftojë kohë të gjatë deri te fitorja përfundimtare.

          Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës do të duhej që në organizimin e tyre të përbëhen prej dy komponentëve:

1- Ushtrisë së Kosovës (UK)

2- Mbrojtja territoriale (MT)

          Ushtria e Kosovës të organizohet në 5-6 Korpuse, me formacione të ndryshme taktiko - operative e me përbërje të të gjitha gjinive. Mbrojtja Territoriale me njësi të rangut të regjimentit, si njësi manovruese dhe ato të cilat do të operojnë në vendbanime.

          Për koordinimin e njësive të Mbrojtjes Territoriale duhet të formohen shtabet e rretheve siç janë: Gjilani, Prishtina, Mitrovica, Peja dhe Prizreni. Gjithashtu, më vonë do të formoheshin edhe forca ajrore me rritje graduale. Në armatimin e FA të Republikës së Kosovës duhet të bazohemi në historinë e luftërave të popujve të vegjël të këtij shekulli, ashtu që në fillim të imponohet taktika e luftës guerile, e pas një kohe të imponohet lufta frontale. Armatimi duhet të bëhet paralelisht si për njësitë e UK ashtu edhe për MT. Sot, një raketë kundërajrore kushton 30-50 herë më pak se një aeroplan ushtarak, dhe kur dimë se mundësitë e goditjes së sigurt të raketës janë 1.5 : 1 (raketë-aeroplan) atëherë del se, me 150 raketa dore mund të shkatërrohen afër 100 aeroplanë.

          Morali njerëzor i shqiptarëve në historinë tonë kurrë nuk ka qenë më i lartë për një betejë përfundimtare. Këtë moral e përforcon vetë fakti se shqiptarët mbrojnë vatrat dhe trojet e tyre. Përveç kësaj duhet theksuar se hapat që bën Shqipëria vazhdimisht do të ndikojnë pozitivisht edhe në moralin e FA të Kosovës.

III – AMBIENTI

Hapësira si faktor mund të ndikojë pozitivisht apo negativisht në zhvillimin e luftës së armatosur. Kjo vlen edhe për hapësirën e Kosovës. Vetë konfiguracioni gjeo – topografik e bën të volitshme luftën e forcave mbrojtëse. Këtë përparësi forcat tona do të duhej ta shfrytëzojnë me të madhe. Kosova me një sipërfaqe prej 10'887 km2, në të tri anët e kufirit kufizohet me Serbinë dhe Malin e Zi, e në jug me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ky përthekim ndikon shumë negativisht në pozitën e Kosovës. Por shikuar nga aspekti ushtarak, vetë unaza e relievit malor: Bjeshkët e Nemuna, Kolashini i Vjetër, Kopaoniku, Gollaku, Mali i Zi dhe Mali i Sharrit, zbutin këtë ndikim të shtrirjes. Relievi unazor me kurora malesh ndikon pozitivisht në pozitën mbrojtëse të Kosovës. Kurse kanalizimi i drejtimeve që hyjnë në Kosovë, ia vështirëson armikut depërtimin në Kosovë e sidomos forcave mekanizuese - blinduese.

Kosova është hapësirë operative dhe kjo ka rëndësi strategjike për shqiptarët dhe për serbët. Vetë relievi mundëson dy drejtime ku mund të depërtojnë forca relativisht të mëdha, kurse në drejtimet tjera nuk mund të angazhohen forca të mëdha. Veçojmë dy drejtime taktiko-operative:

  • Drejtimi i parë në vijën: Vranjë-Gjilan-Ferizaj

          Ky është drejtimi më i volitshëm për angazhimin e forcave më të mëdha mbrojtëse ose sulmuese. Ato forca të cilat ia arrijnë të depërtojnë ose ta mbrojnë këtë pozitë pothuajse edhe e kontrollojnë tërë frontin e Kosovës. Pikat për mbështetje në ngushticën e këtij drejtimi, në të dy anët e lumit Morava mundësojnë mbrojtje të volitshme. Nga ajo edhe duhet të angazhohen forca më të mëdha. Në këtë drejtim duhet pritur forcat kryesore të armikut, përafërsisht një korpus i përbërë prej njësive mekanizuese - blinduese. Forcat tona duke u mbështetur në objektet topografike, po ashtu duhet të jenë të rangut të një korpusi me përbërje prej njësive kundër tankësore dhe artilerike. Pikat mbështetëse për organizimin e mbrojtjes statike duhet zgjedhur në vijën: fsh. Muqibabë, fsh. Pasjan, Malishevë, fsh. Korretinë, fsh. Rogaqicë, fsh. Tërstenë - Gollak i Vogël, e në thellësi, po ashtu, duke u mbështetur në objektet e volitshme topografike. Në kohën kur forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës rriten e mund të ndërmarrin këso detyra të larta taktiko - operative, për këtë drejtim duhet të parashikohen forca të mëdha si rezervë e Komandës Supreme.

  • Drejtimi i dytë në vijën: Kurshumlia - fsh. Prepolac, Podujevë

          Ky është drejtim ku kundër forcave të Republikës së Kosovës mund të angazhohen forca të konsiderueshme. Drejtimet tjera që hynë në Kosovë kanë rëndësi taktike dhe në to nuk pritet të angazhohen forca të mëdha të armikut. Këto drejtime, po ashtu me forca të vogla, mund të mbrohen nga armiku.

Këto drejtime janë: Tullarë-Prishtinë; Llukovë-Metohi; Rrashkë-Soqanicë -Mitrovicë; Novi Pazar-Banjskë dhe -Qafa e Çakorrit.

Kur vlerësojmë situatën ushtarake dhe kur mendojmë për luftën e armatosur, duhet kuptuar se forcat tona, në fillim, do të ndërmarrin luftime kundër forcave të vendosura në Kosovë. Me zhvillimin e këtyre luftërave forcat tona kurrsesi nuk duhet të lejojnë që armiku të stabilizojë frontin në vijën e ashtuquajtur kufiri i demarkacionit nga ajo edhe në fazën e parë ne duhet të kemi të çliruar bazenin e Mitrovicës.

IV – KOHA

          Koha si faktor i vlerësimit ushtarak nuk është e definuar dhe e përcaktuar. Mu për këtë rruga deri te pavarësia mund të zgjasë dhe kjo varet nga shumë faktorë. Nëse vie deri te përdorimi i forcave, atëherë ne do të bëjmë çmos që zhvillimi i operacioneve luftarake në Kosovë të filloj dhe të përfundoj në atë moment kohe kur neve na konvenon më së shumti. Edhe në fazën e parë ne duhet të kemi të çliruar bazenin e Mitrovicës.

Në vend të përfundimit

Meqenëse ky është një vlerësim i shkurtër ushtarak në vend të përfundimit vlerësojmë:

-Kosova ka pozitë të volitshme relievi dhe pozitë shumë të mirë demografike, e cila me një organizim të mirëfilltë mund të formojë forca të armatosura për mbrojtjen e Kosovës.

-Morali, vullneti dhe mobilizimi i shqiptarëve për  luftë kurrë nuk ka qenë në nivel më të lartë.

-Ambienti -hapësira e Kosovës me relievin dhe objektet topografike është më se e volitshme për ndërmarrje të aksioneve luftarake dhe ofensivave përfundimtare çlirimtare.

-Është e sigurt se forca e ushtrisë jugosllave dita-ditës dobësohet nga brenda: shkatërrohet kuadri komandues, bie mundësia e zjarrit, vjetërsohet teknika ushtarake e posaçërisht dita-ditës po bie morali i faktorit njeri. Mirëpo, të dhënat e lartshënuara nuk duhet assesi të lënë përshtypjen se ne kemi të bëjmë me një forcë të dobët ushtarake. Ushtria jugosllave përkundër dobësive evidente, mbetet një forcë serioze dhe si e tillë në asnjë moment nuk duhet të nënçmohet./Bota sot

(Përgatiti: Skënder Zogaj)

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat