Rreth një mijë punëtorë të kompnisë “NewCo Ferronikeli” do të mblidhen para objektit të Qeverisë së Kosovës të enjten.
Ata, kanë paralajmëruar protestë kundër ndalimit të punës së gjigantit
Sindikata e Pavarur e Punëtorëve ka njoftuar se me datën 28 të këtij muaji do të organizojnë protestë para Qeverisë së Kosovës.
“Të enjten ora 11:30 në Prishtinë, nën organizimin e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve, punëtorët e kompanisë “NewCo Ferronikeli” do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Kjo protestë do të organizohet si pasojë e mosinteresimit ndaj punëtorëve të “NewCo Ferronikeli”, të cilët tash e 8 muaj janë të papunë.
“Protesta thirret si pasojë e mungesës së interesimit nga ana e qeverisë për gjendjen e rreth 1,000 punëtorëve të kompanisë, të cilët që nga 8 tetori janë të papunë. Kërkesë do të jetë trajtimi serioz institucional i kësaj çështjeje për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejt”, shkruan Sindikata.
“Gjatë protestës do të respektohen rregullat ligjore për luftimin e pandemisë COVID-19. Ftohen të gjitha mediat që ta përcjellin ngjarjen!”, shtuan këta të fundit.