​Gjykata Kushtetuese me masë të përkohshme për KPMSHCK

Aktuale

​Gjykata Kushtetuese me masë të përkohshme për KPMSHCK

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 15:28
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese sot publikoi vendimin për masë të përkohshme në rastin KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe 10 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, përmes së cilës kërkohej vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit numër 08-V-029 të Kuvendit të Kosovës të datës 30 qershor 2021, për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Më 30 qershor 2021, Kuvendi i Kosovës përmes vendimit kishte miratuar rekomandimin e Komisionit të Kuvendit për Administratë Publike për shkarkimin e pesë anëtarëve të KPMSHCK-së.

Parashtruesit e kërkesës kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit. Ndërkohë dhe me qëllim të vlerësimit të domosdoshmërisë për vendosjen e masës së përkohshme, Kushtetuesja kërkoi informacion nga Kuvendi për veprimet e ndërmarra pas vendimit të kontestuar, dhe për pasojë, u njoftua nga Kuvendi, se i njëjti kishte shpallur konkurset për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit.

Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se vendimi i kontestuar i Kuvendit, cenon pavarësinë e Këshillit, të garantuar me nenin 101 (Shërbimi Civil) dhe nenin 142 (Agjencitë e Pavarura) të Kushtetutës, andaj kërkojnë që i njëjti të anulohet.

Për më tepër, parashtruesit e kërkesës theksuan se vendimi i kontestuar i nënshtrohet efektit pezullues ex-lege lidhur me pasojat juridike, duke kërkuar nga Kushtetuesja që të njoftojë Kuvendin, që ndërmarrja e veprimeve për të zbatuar vendimin e kontestuar është në kundërshtim me efektin pezullues të përcaktuar në Ligjin për Kushtetuesen.

Gjykata shqyrtoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me masën e përkohshme dhe përgjigjen përkatëse të Kuvendit, dhe fillimisht, duke u referuar në praktikën e saj gjyqësore, sqaroi rrethanat kur aktet e Kuvendit, kushtetutshmëria e të cilave kontestohet nga 10 a më shumë deputetë të Kuvendit para gjykatës, i nënshtrohen efektit pezullues, siç është përcaktuar në Ligjin për Kushtetuese.

Gjykata gjithashtu sqaroi se duke pasur parasysh që vendimi i kontestuar në aspekt procedural në mënyrë që të prodhojë pasoja juridike, nuk e parasheh dërgimin e tij te presidentja, i njëjti nuk i nënshtrohet efektit pezullues bazuar në nenin 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, dhe duke marrë parasysh që kërkesa para Gjykatës ngreh një sërë çështjesh lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e Këshillit, si një institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutë dhe i cili siguron respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil, vlerësoi se është e nevojshme vendosja e masës së përkohshme sipas detyrës zyrtare, bazuar në nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në Rregullin 56 (Kërkesa për Masë të Përkohshme) të Rregullores së Punës.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në vendimin e publikuar, duke theksuar se vendosja e masës së përkohshme nuk paragjykon pranueshmërinë ose meritat e rastit, gjykata vendosi masën e përkohshme deri më 15 dhjetor 2021, duke pezulluar menjëherë vendimin e kontestuar dhe duke përcaktuar që Kuvendi duhet të përmbahet nga çdo veprim lidhur me çështjen e zgjedhjes së anëtarëve të rinj deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat