Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të 37 Komunave, të cilat u mbajtën më 17 tetor 2021.
Në Gjilan, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni do të jetë në balotazh me kryetarin aktual dhe kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Hyseni ka dal i pari me 19,057 vota ose 44,71%, ndërsa Haziri është i dyti me 18,546 vota ose 43,51%. Diferenca mes kandidatëve është 511 vota.
Kandidatja e PDK-së, Leonora Morina Bunjaku ka dalë e treta, ndërsa kandidati i AAK-së, Nazim Gagica, është i katërti pasuar nga kandidatët e pavarur Gani Neziri e Lulzim Bexheti.
Në Komunën e Gjilanit numri i votuesve të regjistruar ka qenë 101 062, këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 42 920 qytetarë. Numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit, si me kusht, VPNV dhe me postë është 1 958.
Pjesëmarrja në votime në Gjilan është 43,42%.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, në afat brenda 24 orësh, subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.