Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se i dërguari i SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka bërë të ditur edhe njëherë politikën e presidentit Biden.
Hoti në një postim në Facebook ka përmendur deklaratën e z. Escobar për Ballkanin perëndimor.
“Gabriel Escobar, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, e bëri të qartë (edhe një herë) politikën e Administratës Biden për Ballkanin Perëndimor:
- Integrim në BE brenda një kohe të parashikueshme për të gjitha shtetet,
- Ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve,
- Ndalimi i ndërhyrjes së Rusisë dhe Kinës në këtë regjion.
Në mënyrë specifike, ai kërkon:
- vazhdimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke,
- fillimin e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,
- Ruajtjen e sovranitetit dhe demokracisë në Mal të Zi,
- Reforma ligjore dhe ekonomike në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke i kundërshtuar dhe kritikuar ashpër ata që e nxisin dhe mbështesin ndarjen e këtij shteti”, shkruan Hoti në Facebook.
E sipas tij, më e qartë se kaq nuk mund të bëhet.
“Kjo politikë e Administratës Biden karshi Ballkanit Perëndimor e konfirmon konsistencën e politikës së jashtme amerikane”, shprehet ai.
Hoti, po ashtu thotë se, Kosova duhet të koordinohet plotësisht me administratën amerikane, sic është bërë ndër vite deri tek nënshkrimi i marrëveshjes së Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë.
“Lidhur me politikën karshi regjionit dhe politikën e jashtme në përgjithësi, Kosova duhet të koordinohet plotësisht me administratën amerikane, siç ka bërë në vitet e para të vendosjes së themeleve të shtetit të Kosovës nga Presidenti Rugova dhe bashkëveprimtarët e tij, e deri tek qeveria e fundit kur u nënshkruar Marrëveshja e Ëashingtonit në Shtëpinë e Bardhë. Kosova është e bekuar me miqësinë e saj me popullin amerikan”, përfundoi Hoti.