Ben Emmerson, avokat i ish-kreut të UÇK-së, Kadri Veseli, është ankuar për qëndrimin e të akuzuarit në paraburgim, derisa Zyra e Prokurorisë ende s’e ka publikuar të tërë materialin.
Emmerson është “përleshur” me gjykatësin e Procedurës Paraprake, Nicolas Giju, pasi ky i fundit pretendon se avokati nuk është në temë.
“Padurimi juaj po drejtohet gabimisht. Është gabim kjo që po thoni ngase unë jam në temë”, ka deklaruar Emmerson, derisa Giju ia bëri me dije se mund ta largojë nga salla.
“S’ka si t’i lexosh provat ndaj Veselit apo të tjerave, përveç që të them se Prokuroria po orvatet të bëjë që UÇK-ja ka qenë ndërmarrje kriminale. Janë 327 dëshmitarë, vetëm 50 apo diçka e tillë do të dëshmojnë, kjo gjendje po vazhdon tash e një vit e gjysmë”, deklaroi tutje avokati i Veselit.