Miratohet buxheti për vitin tjetër, Kurti premton mbi 100 milionë euro për këtë sektor

Aktuale

Miratohet buxheti për vitin tjetër, Kurti premton mbi 100 milionë euro për këtë sektor

Më: 29 tetor 2021 Në ora: 17:40
Qeveria e Kosovës

E plotësuar (18:18) - Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media ka njoftuar se 10 milionë euro janë ndarë për të blerë ambasadat e Kosovës në vendet mike.

“Sa i përket çështjes së ambasadave ne po i ndajmë 10 milionë për vitin e ardhshëm dhe do ta shohim se çka është më së miri të blejmë për ambasadat nga vendet aleate. Ngadalë por sigurt e qe besa edhe jo aq ngadalë do të fillojmë me blerjen e këtyre ambasadave në vendet mike”, tha ai.

Shefi i qeverisë tha paoshtu se për shkak të mundësisë së rritjes së çmimit, s’mund të paralajmërojnë se në cilin qytet do të blehet ambasada.

“Nuk është mirë të paralajmërojmë blerjen e ambasadave sepse çmimet mund të rriten dhe nëse unë e paralajmëroj që në filan qytetin do ta blejmë ambasadën automatikisht rritet çmimi”, tha Kurti.

***

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022 në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë euro, 8.7 për qind krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti, apo 220 milionë euro më shumë.

Nga ky buxhet, për herë të parë, sipas kryeministrit Albin Kurti, do të ndahen mbi 100 milionë euro për Ushtrinë e Kosovës. Ai ka thënë se synimi është që brenda mandatit të rritet përqindja e ndarjes për Ushtrinë deri në 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, siç kërkon standardi i NATO-s.

Kryeministri Kurti në fjalimin e tij në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se “këso buxheti s’ka pasur kurrë Kosova”.

Ai ka thënë se me këto mjete do të niset ndërtimi i 50 çerdheve në gjithë vendin, 45 milionë euro do të ndahen për të mbështetur lehonat dhe shtesat për fëmijë, s’do të ketë pensione nën 100 euro e do të ndahen 50 milionë euro për borxhet nga shpronësimet, e 40 milionë euro për Trepçën dhe Telekomin.

“Do të fillojmë ndërtimin e 50 çerdheve me këtë buxhet. 45 milion euro për të mbështetur lehonat. Kemi bërë studime falas 2000 bursa shtesë. Kemi shtuar 35 milionë euro të skemave sociale. Kemi shtuar 24 milionë euro buxhet për sigurimin e barnave. Kemi ndarë 20 milionë euro për të rinjtë. Kemi rritur buxhet për kulturë rini dhe sport. Kemi rritur buxhetin për bujqësi mbi 70 milionë euro. Prodhuesit do ti mbështesim me 40 milionë euro. 40 milionë për investime në Trepçë e Telekom. Do të furnizojmë policinë e zjarrfikësit. Mbi 100 milionë euro për ushtri. Këto e shumë investime tjera janë bërë të mundur në 6 muaj qeverisje”, tha Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se objektivat janë ringjallja ekonomike, riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe përkrahja e punësimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat