Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka folur rreth procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Szunyog thotë se institucionet e Kosovës duhet t’i bindin 27 vendet e BE’së se duhet tu liberalizohen vizat.
“Personalisht nuk ndihem shumë rehat sepse vij nga një vend ish-Çekosllovakia, tash Republika Çeke që ende kishte ndalesë udhëtimi kështu që në moshën 23 vjeçare nuk mund të udhëtoja në Europën Perëndimore kështu që personalisht e kuptoj këtë frustrim shumë mirë”, tha Szunyog.
“Nga këndvështrimi i institucioneve europiane gjendja është kështu. Komisioni Europian ka vendosur në vitin 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se duhet të marrë liberalizimin e vizave. Nëse e shohim raportin në paragrafin e dytë thuhet se Komisioni Europian beson se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe se Këshilli i Ministrave duhet të vendosë me urgjencë. Megjithatë Këshilli i Ministrave është organ i veçantë që përbëhet nga shtetet anëtare dhe kryesohet nga presidenca e shteteve kështu që varet nga Këshilli i Ministrave që të dalë me vendim përfundimtar dhe shpresoj padyshim që kjo të bëhet shpejt, por sërish kjo varet nga mundësitë tona si institucione edhe si Kosovë edhe si qeveri e Kosovës që të bindim 27 vendet anëtare që ata të ndjehen rehat ta ndajnë këtë vendim”, theksoi ai.
“Unë gjithmonë bëj thirrje që vendimi duhet të merret. Besoj se po e bëj më të mirën”, sqaroi ai.