Lajmi i fundit për zyrtaren e komunës së Junikut, zbulohet si u mbrojt në Krimet e Rënda

Aktuale

Lajmi i fundit për zyrtaren e komunës së Junikut, zbulohet si u mbrojt në Krimet e Rënda

Më: 30 tetor 2021 Në ora: 21:59
Blerina Sallaji, foto ilustrim nga "Bota sot"

Blerina Sallaj, zyrtare e komunës së Junikut, bashkëpunëtore e ngushtë e kandidatit të AAK-së për kryetar komune, Agron Kuçit, është ndaluar për 48 orë nga Prokuroria, pasi dje u kap në flagrancë në aeroportin e Prishtinës, duke tentuar të dërgojë në Gjermani, material zgjedhor që dyshohet se është falsifikuar. 

Media nga burimet ka mësuar se Blerina Sallaj është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit nga Drejtoria e Krimeve të Rënda.

Megjithatë, burimet thonë se ajo gojarisht ua ka rrëfyer te vërtetën Policisë që në kontaktin e parë në aeroport, kur u zu në flagrancë me materialet e sekuestruara.

Çka gjeti Policia në valixhen e Blerina Sallajt në Aeroportin e Prishtinës?

Sallaj dje ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora. Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit.

Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.

Sallaj gjatë intervistimit, ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit.

Sipas burimeve, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.

Sot, po ashtu u raportua se në Komunën e Junikut ka zbarkuar Drejtoria e Krimeve të Rënda, në kërkim të provave dhe të dyshuarve të tjerë që lidhen me rastin e dokumentacionit zgjedhor që dyshohet se u falsifikua në këtë komunë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat