(E plotësuar 12:17) - Kryesia e Kuvendit të Kosovës as sot nuk ka vendosur për caktimin e seancës plenare. Të njëjtit pritet të mbledhen sërish javën e ardhshme për vendimmarrje.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, duke arsyetuar dështimin e mbledhjes, tha se gjatë kësaj jave do të takohen grupet punuese për MSA-në.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kritikoi qeverinë për gazësjellësin, duke përmendur nevojën e debatit për këtë çështje në legjislativ.
Kritik u shfaq edhe shefi i grupit parlamentar te AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se Kuvendi është jofunksional tash e sa javë.
Tahiri: Para se Qeveria e Kosovës të flasë për prezencë ushtarake të SHBA-së është mirë mos ta refuzojë gazsjellësin
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se kjo parti fushatën për garën e balotazhit do ta bëjë duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Tutje, Tahiri ka komentuar edhe kërkesën që ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë duke kërkuar që ushtria amerikane ta ketë një bazë të përhershme në Kosovë, duke e cilësuar prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së të rëndësishme për Kosovën.
“Por, ne kemi tashmë një bazë të rëndësishme si Bondsteel, por para se të shkojë Qeveria e Kosovës të flasë për punën e prezencës ushtarake e cila është mjaft e rëndësishme për vendin tonë, mirë është që ta trajtojnë çështjen e gazit, pra mos ta refuzojnë një projekt të tillë”.
“E kemi theksuar edhe më herët se prezenca e një projekti të tillë amerikan jo që është e rëndësishme për ekonominë, por është e rëndësishme edhe për sigurinë tonë. Prezenca e ushtrisë së SHBA-ve në Kosovë do të thotë siguri jo vetëm për ne, por edhe për rajonin tonë”, është shprehur Tahiri.
Bogujevci: U dakorduam që javën tjetër të caktohet seanca e radhës
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, pas mbledhjes së kryesisë, ka bërë të ditur se janë dakorduar me të gjitha partitë politike që javën tjetër të mblidhen për ta caktuar seancën e radhës.
Bogujevci tha se kjo vjen si rezultat i takimeve punuese për MSA-së gjatë kësaj jave.
“Kemi një numër të madh të deputetëve që janë të angazhuar në pjesën e kësaj pune dhe takimet do të mbahen në sallën plenare, për shkak të numrit më të madh të pjesëmarrësve”.
“Ka qenë dakordim i të gjithëve që të mblidhemi javën që vjen për ta caktuar seancën e radhës që të sigurohemi që t’i kemi të gjithë deputetët e pranishëm dhe të mos ndërhyjmë në punën e deputetëve që janë të përfshirë në angazhime me MSA-në”, është shprehur Bogujevci në konferencë pas mbledhjes së kryesisë.
Nis mbledhja e kryesisë, shqyrtohet projekti i gazit me MCC
Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku pritet të caktohet data për seancën e radhës plenare.
Kryesia pritet të shqyrtojë një sërë çështjesh, ku me interes është debati parlamentar për veprimet e Qeverisë së Kosovës për alternativat e diversifikimit të energjisë dhe veçanërisht projektin e gazit me MCC.
Krahas kësaj, do të jenë edhe disa projektligje dhe pika të papërfunduara nga seancat e kaluara plenare.
Mblidhet sot Kryesia e Kuvendit, do të caktohet seancë e re për të diskutuar rreth projektit të gazit
Këtë të hënë do të mblidhet Kryesia e Kuvendit të Kosovës.
Në mbledhjen që pritet të fillojë në orën 11:00 do të caktohet seancë e re plenare.
Në rend dite fillimisht janë pikat e papërfunduara nga seanca plenare e mbajtur më 22 dhe 28 korrik, për të vazhduar edhe me votimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimi të pasqyrave vjetore financiare të N.P Hortikultura për vitin 2020.
Ndërsa, në seancë e re plenare do të ketë debat parlamentar në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës për alternativat e divesifikimit të energjisë dhe veçanërisht projektin e gazit me MCC.
Më poshtë sjellim rendin e ditës:
I. Miratimi i procesverbali të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
II. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare e mbajtur më 22 dhe 28 korrik 2021:
13. Votimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të N.P Hortikultura për vitin 2020.
III. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 16, 19, 21, 28 korrik dhe 6 gusht 2021:
4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-006 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10,
6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”,
11. Votimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni.
IV. Pika e papërfunduar nga seanca plenare, e mbajtur më 19 tetor 2021:
28. Votimi i Raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2020.
V. Përgatitjet për seancë të re plenare:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Debat parlamentar në lidhje me veprimet e Qeverisë për alternativat e diversifikimit të energjisë dhe veçanërisht Projektin e Gazit me MCC,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,
5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-028 për të drejtën ndërkombëtare private,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-034 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-049 për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-053 për Topografitë e Gjysmëpërçuesve,
8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-057 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-089 për Deminim Humanitar,
9. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës,
10. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2020,
11. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2020,
12. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2020,
13. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Auditimit të Buxhetit të Kosovës për vitin 2020,
14. Emërimi i kryetarit dhe katër (4) anëtarëve të Bordit të Organin Shqyrtues të Prokurimit,
15. Emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës,
16. Propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
VI. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave
Vendi: C301
Koha: 11:00