Përfaqësuesit e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit gjatë ditës së sotme janë takuar me përfaqësues të qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe u.d. e ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.
Në këtë takim ata kanë parashtruar 10 kërkesa në mesin e së cilave kërkohet zgjatja e orarit të punës deri pas mesnate, heqja e orës policore dhe hapja e klubeve dhe sallave të dasmave.
Më poshtë gjeni kërkesat OHTK-së:
Zgjatja e orarit të punës për të gjitha kategoritë deri në ora 01:00 pasmesnate;
Lejimi i punës për sallat e dasmave dhe clubet, sipas manualit të IKSHPK-së;
Të hiqet ora policore;
Të zgjatet afati për uljen e TVSH% nga 18% në 8% të paktën edhe për 5 vitet e ardhshme;
Të fillojnë organizimet e ahengjeve në bazë të manualit;
Të bëhet përkrahja financiare ndaj bizneseve;
Të bëhet subvencionimi i pagave të punëtorëve;
Të mbulohen shpenzimet e qirave për bizneset nga viti 2020-2021 që kanë punuar pjesshëm;
Të bëhet kompensimi i bizneseve që nuk kanë punuar fare gjatë kësaj kohe;
Për të hyrë në lokale t’u kërkohet certifikata e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19, testi RT-PCR negativ për COVID-19 jo më i vjetër se 72 orë ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19 në të kundërtën inspektoriati të merret me atë biznes.