KQZ certifikon rezultatet për kryetar në Ferizaj, Shtime e Podujevë

Aktuale

KQZ certifikon rezultatet për kryetar në Ferizaj, Shtime e Podujevë

Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 07:13
Foto ilustrim

(E plotësuar 14:40) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka certifikuar sot rezultatet përfundimtare edhe për tri prej katër komunave të cilat nuk u certifikuan në mbledhjen e kaluar për shkak të ankesave që ishin drejtuar në PZAP.

Komunat në të cilat u certifikuan rezultatet janë Podujeva, Shtimja e Ferizaj, kurse për rezultatet në Kllokot, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se duhet të presin ende.

“KQZ tani mund të bëjë certifikimin e rezultateve për Ferizajn, Shtime, Podujevë ndërkaq për Kllokot do të presim konfirmim zyrtar se a ka përfunduar shqyrtimi i ankesës në Gjykatën Supreme”, tha Radoniqi.

Sipas rezultateve në Ferizaj, fitues ka dalë Agim Aliu i PDK-së me 62.38 për qind të votave.

Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i LVV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.54 për qind të votave.

Kurse komuna e Podujevës shkon në balotazh ndërmjet Ekrem Hysenit të LDK-së me 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të LVV-së me 44.16 për qind të votave. 

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të shplallë rezultatet përfundimtare për kuvendet komunale.

Me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet ky proces, pasi subjektet politike dhe kandidatët kanë mundësinë të parashtrojnë ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

***

Më shumë se 5 mijë kandidatë që garuan për 1 mijë e 2 ulëse të Kuvendeve Komunale do ta mësojnë të mërkurën rezultatin e tyre.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se tashmë ka përfunduar numërimi i rreth 300 vendvotimeve për 38 komuna.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar procesi i rinumërimit i rreth 300 vendvotimeve të cilat u takojnë zgjedhjeve lokale për Kuvendet Komunale. Pas përfundimit të procedurave të parapara në këtë qendër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mundet të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 17 tetorit kuvendet komunale. Planifikojmë që shpallja e këtyre rezultateve të bëhet në mbledhjen e KQZ-së, e cila do të mbahet ditën e mërkurë më datën 3 nëntor”, ka thënë ai.

Ai tregoi se me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet ky proces, pasi subjektet politike dhe kandidatët kanë mundësinë të parashtrojnë ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

Pas shpalljes së këtyre rezultateve, palët në këtë rast subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre, fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në rast se janë të pakënaqur me vendimin e këtij institucioni të njëjtat mund t’i drejtohen edhe Gjykatës Supreme. Si çdo herë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me vendimet e këtyre institucioneve t’i zbatojë ato dhe pastaj të procedojë për certifikimin e këtyre rezultateve”, ka shtuar Elezi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat