Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, thotë se një ndër objektivat e kësaj ministrie është forcimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit, si dhe mbështetja e Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare.
Kështu është shprehur ajo, teksa tha se nisja e negociatave për anëtarësimin në BE dhe përfaqësimi me sukses në Këshillin e Sigurisë të OKB-së do të jetë objektivi kryesor i Qeverisë Rama për vitin 2022.
Këtë deklaratë, Xhaçka e dha gjatë fjalës së saj në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, ku bëri të ditur edhe për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do të mbahet në fund të nëntorit në Durrës.
“Objektivi i dytë madhor është zhvillimi me sukses i mandatit në Këshillin e Sigurimit. Përfaqësimi në Këshillin e Sigurimit kërkon alokim të fondeve të posaçme shtesë në buxhetin e MEPJ-së. Objektivi i tretë është forcimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit. Shqipëria, mbështetëse e aktivitetit të Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare. Vëmendje të veçantë do të ketë edhe për marrëdhëniet me Italinë, Greqinë dhe Turqinë. Fokus është edhe bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh me Maqedoninë e Veriut”, tha ministrja Xhaçka.