As Lidhja Demokratike e Kosovës dhe as Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta kenë përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës, në balotazh.
Kjo pasi që dega e këtij subjekti politik ka marrë vendim që mos të mbështes as njërën e as tjetrën parti.
Kështu, ka bërë të ditur kandidati i PDK-së, për kryetar të Komunës së Vitisë, Bekim Azizi.
Ai ka treguar se këtë ia kanë lënë në dorë votuesit.
“I kemi marr ofertat e dy partive dhe qëndrimi jonë është që do të jemi neutral. Asnjërën nuk do ta përkrahim, qëndrimi do të jetë neutral, le të përcaktohet vet votuesi se kënd dëshirojë ta votojë”, ka deklaruar ai.
LDK-ja në zgjedhjet e 17 tetorit ka arritur të fitojë 41.78%të votave , kurse LVV-ja 34.85%.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur një javë më parë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale të cilat janë mbajtur më 17 tetor.
Në 17 komuna, kandidatët kanë fituar vota të mjaftueshme për të marrë mandatin e kryetarit, kurse në 21 komuna do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve.
Duke u mbështetur në këto rezultate, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë zhvillohet në 21 komuna: Gjakovë, Gllogoc (Drenas), Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor.