Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia ka treguar se ka qenë në dijeni që nuk do të arrijë ta fitojë Prishtinën qysh në raundin e parë të zgjedhjeve lokale.
Kjo për faktin se Vitia, për dallim nga kundërkandidatët e tij, i është futur garës me vonesë, çka thotë ta ketë penalizuar.
“Raundi i parë për shkak të vonesës sime në fushatën për zgjedhjet e 17 tetorit e bëri të vetën, ishin diku rreth më pak se dy javë në fushatë dhe natyrisht pritjet e mija kanë qenë që qytetari i Prishtinës të reflektojë ashtu siç ka reflektuar dhe mendoj që është një rezultat real dhe i pritshëm bazuar në kulturën demokratike dhe emancipimin që e ka qytetari i Komunës së Prishtinës (…) Sepse me 14 ditë fushatë natyrisht qytetari i Prishtinës ka kërkuar më shumë, edhe elaborim të programit por edhe paraqitje time më të shumtë në fushatë,”– tha ai.
Vitia i cili ka marrë 42.33% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve lokale do të garojë në balotazh me kundërkandidatin e tij nga LDK, Përparim Rama i cili ka arritur t’i grumbullojë vetëm 29.35% të votave në kryeqytet.