Një vit më parë Kadri Veseli udhëtoi për në Hagë, i arrestuar, duarlidhur dhe i veshur me rrobat ngjyrëportokalli, karakteristike për burgun e Hagës.
Para se të kthehej në Kosovë për të marrë pjesë në organizimin e krahut të luftës që e udhëhiqte e majta, ai kishte qëndruar për disa vite azilant në Zvicër, i cili e shfrytëzonte ndihmën sociale, dhe kishte mbetur me statusin e studentit të përjetshëm të Bujqësisë, dhe nga një njeri pa asgjë në Prishtinë ishte shndërruar në një milioner.
Në Zvicër nuk ka punuar kurrë si Thaçi.
Kadri Veseli duhet të rrëfejë për qëndrimin disa mujor në shtëpinë e Adem Jasharit, pa treguar identitetin e tij.
Edhe për Veselin, sikurse për figurën e Thaçit, janë të pakapërcyeshme lidhjet me shërbimet inteligjente të huaja, gjatë kërkimit të ndërtimit të portretit të tij.
Ish shefi i SHIK-ut Kadri Veseli ka mbetur pa i mbyllur llogaritë e tij, në disa afera si ajo e pasaportave të 1.4 milionë eurove, ku doli i implikuar nëpërmjet njerëzve të afërt të tij, të cilët u zbuluan se kishin përvetësuar shuma të mëdha parash, ku e kryeakuzuar ishte gjermanja Natalia...
Një rast për t’u hetuar është afera lidhur me një spital të ndërtuar nga Fatmir Dalladaku, ku i është kërkuar harraq nga Rrahim Hashimi, ku përfolen mbi 200 mijë euro, dhe një proces gjyqësor që është lënë në gjysmë, pa i hetuar Veselin dhe Halitin.
Vrasjet politike
Kadri Veseli duhet të dëshmojë nëse vërtetë ka ekzistuar një dorë e zezë brenda SHIK-ut, e cila është marrë me ekzekutime.
Këtë e ka përmendur mbase paqëllimshëm, edhe vëlla i Bekim Kastratit, gazetarit të “Bota sot” të vrarë me 2001, me rastin e dekorimit para pak ditësh të Bekimit dhe Besim Dajakut nga presidentja Osmani.
Pak informacione janë botuar dhe shumë më pak është gërmuar, madje shumica mediave as që janë munduar ta bëjnë këtë duke mos e trazuar as të kaluarën e Veselit, dhe as grupet e krimit të organizuar.
Gjatë kohës sa Kadri Veseli ka udhëhequr me SHIK-un kanë ndodhur gjithë ato krime, rreth 200 vrasje politike, shumica gati (95% LDK), skandale, uzurpime, dhe madje ndërhyrje të vazhdueshme nga jashtë të shërbimeve sekrete, si të atij serb.
Besohet se kanë ndodhur së paku njëqind vrasje politike mbështetës të Rugovës dhe të LDK-ës, sipas disave edhe disa qindra të tjera, që lidhen edhe me çështje të krimit të organizuar, dhe që në një numër të konsiderueshëm prej tyre ka marrë pjesë SHIK-u. Këto informacione indikojnë se brenda SHIK-ut mund të vepronte një “dorë e zezë”, dhe sërish e implikon Kadri Veselin, meqë ishte shef i shërbimit, dhe që mund ta ketë mbajtur këtë në diskrecion të plotë.
Këto ravijëzime janë bërë publike edhe nga shërbimet e NATO-s. Po ashtu Eulexi e ka vlerësuar SHIK-un si organizatë kriminale.
Një nga rastet më skandaloze, që lidhet me dosjet, është vjedhja në dhomën e dëshmive të policisë në Prishtinë, ku besohet se ka dorë SHIK-u.
Pra, edhe në rast të lirimit nga gjykata speciale, Kadri Veselin mund ta presë një pirg i tërë dosjesh për ballafaqim para drejtësisë, nëse deri atëherë do të kemi arritur ta ndërtojmë një shtet ligjor.