Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, iu ka ofruar investitorëve amerikanë të industrisë ushtarake për të investuar në Kosovë, në mënyrë që vendi ynë të jetë qendra rajonale e kësaj industrie.
“Investitorët amerikan të industrisë ushtarake shprehin vlerësimin e lartë për ofertën time për të investuar në Kosovë me potencialin e veçantë që vendi ynë të jetë qendra rajonale e kësaj industrie në të ardhme”, ka shkruar Mehaj.
Mehaj ndër të tjera tha se me zyrtarin amerikan kanë diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit bilateral dhe partneritetit SHBA-Kosovë, në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në lidhje me këtë temë në një intervistë për “Bota sot”, ka folur deputetja nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi .
E pyetur për qëndrimin e LDK-së në lidhje me këtë temë, deputetja thotë se prania e Amerikës është në interest ë vendit .
Ajo shpreson që një gjë e tillë të realizohet pasi Kosova ka nevojë për zhvillim e përparim.
“Çdo pretendim që është në interes të vendit e aq më tepër me praninë e investitorëve potencial Amerikan e përkrahim pa rezervë. Urojmë që të mos jetë vetëm retorikë e fjalë si ishin shumë tjera nga eksponentë politikë. Kosova ka nevojë për zhvillim e përparim e mjaftë me fjalë e popullizëm”, u shpreh deputetja për “Bota sot”.