Kandidati i VV’së për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica, thotë se janë duke diskutuar me partitë tjera për koalicione të mundshme në balotazhin e 14 nëntorit.
Komentet Korenica i bëri në emisionin “DPT te Fidani”.
“Bisedimet i kemi të përditshme, po komunikojmë edhe me eksponentë të rëndësishëm të të dyja partive, PDK dhe LDK. Vullenti i tyre është për bashkëpunim megjithatë janë edhe formalitetet të cilat pastaj shumë shpejt do të dijë edhe publiku se si do të shkojë bashkëpunimi me të dy partitë”, tha Korenica.
“Ne po kontaktojmë me anëtarët e të dy partive, janë të gatshëm me bashkëpunu me neve. Po duan ndryshim”, shtoi ai.
“Nëse e marrim si total numrin e votave, pjesa dërrmuse e votave janë për ndryshim. Kjo e ndryshon edhe mos kalimin e AAK’së në rundin e parë”, theksoi Korenica.
Në rundin e parë të zgjedhjeve Korenica u rendit i dyti duke mbledhur 5.206 ose 24,78%. Kryetari aktual Smajl Latifi mori 9.925 vota ose 47.23 për qind.