Rritja e përnjëhershme e çmimeve nga tregtarët në Kosovë, ka ngritur dyshime për marrëveshje të fshehta dhe ‘fryrje’ joreale të çmimeve.
Kështu u tha në konferencën “Ngritja e çmimeve në treg dhe mbrojtja e konsumatorit”, të organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore, (INDEP).
Dardan Abazi nga INDEP theksoi se ankesat e konsumatorëve janë të shumta për rritje të çmimeve të pa paralajmëruar nga tregtarët. Siç u shpreh ai, në disa raste ka edhe dyshime për këto shtrenjtime për marrëveshje kartel.
Mirëpo, numri i ankesave nga konsumatorët që janë adresuar në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) është tejet i ulët.
Sipas kësaj ministrie nga janari deri në shtator janë paraqitur vetëm 19 ankesa, derisa nga shtatori e deri tash kur janë rritur çmimet janë jo më shumë se 4 ankesa nga konsumatorët.
Ndërkaq Zef Dedaj në këtë tryezë theksoi se është evidente se ka rritje të çmimeve, mirëpo sipas tij kjo po diktohet nga importi i mallrave nga jashtë.
“Nëse ne po importojmë mallra kjo nënkupton që ne po importojmë edhe rritje të çmimeve. Fatmirësisht për rrymën nuk ka rritje. Sa i përket rritjes së çmimeve të karburanteve dhe të tjera kjo ka ndodhur dhe është vërtetuar nga ASK. Gjithsesi se është shqetësuese rritje e çmimeve për produkteve bazike, që bëjnë pjesë buka, vaj ushqimor, mishi dhe të tjerët”, tha ai.
Sipas Dedajt, sidomos ka ndikuar rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe naftës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, tha se rritja e çmimeve është temë që duhet të trajtohet vazhdimisht, derisa shtoi se më së shumti janë prekur bizneset.
Ai ka inkurajuar bizneset për rritjen e pagave për punëtorët, derisa theksoi se disa kompani veç janë duke bërë një gjë të tillë.